Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin kryesor për vrasjen e 34 vjeçarit, Abid Jasharit të mërkurën në Prishtinë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Sipas saj, në këto momente në stacionin e policisë është duke u intervistuar i dyshuari kryesor 26 vjeçari me inicialet B.Sh, për përfshirje në vrasjen e Abid Jasharit.
“I dyshuari është duke u intervistuar nga hetuesit policor. Nuk dihen motivet ende, sapo të kemi informacion do ju mbajmë të informuar”, ka thënë Ahmeti.
Ndryshe, të mërkurën në mesditë ka ndodhur një vrasje në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë. /Telegrafi/