Site icon Telegrafi

Arrestohen shtatë persona nga Policia e Serbisë në Merdar, flet familjari i dy prej të arrestuarve: Polici më tha se i morën veç pse jeni shqiptarë

Foto: Ilustrim

Shtatë persona nga Podujeva janë arrestuar të martën nga autoritetet serbe në kufirin Kosovë-Serbi, saktësisht në Merdar.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin, qytetari nga Podujeva dhe familjari i dy prej të arrestuarve, Labinot Maliqi.

Maliqi tregoi se si policia serbe e ka ndal veturën në kufi dhe i kanë arrestuar vëllanë Dervish Maliqin dhe dhëndrin e tij, Esat Muqollin.

Ai tha se vetëm dje autoritetet serbe i kanë marrë shtatë persona, përfshirë vëllanë dhe dhëndrin e tij.

Maliqi theksoi se ai ka një kompani për bartjen e veturave dhe ishin nisur në drejtim të Gjermanisë.

“Unë kam qenë aty, jemi nis me shku për Gjermani, merremi me bartjen e veturave, në Merdar i kanë ndal dhe ju kanë thënë veç shkoni parkojeni kerrin atje dhe hajdeni. Ata nuk i ka marrë policia e Merdares, po policia e BIA-së nga Beogradi. E kanë parku veturën, i kanë shti brenda. Më njoftuan, shkova…E pyeta policinë për çka po i merrni, e ai më tha ‘veç që jeni shqiptarë’. D.m.th kjo është hakmarrje që janë arrestu këta dje në Mitrovicë…ndërsa mua më lanë, ma dhanë veturën me dokumente. Ti tha je i lirë, shko merre veturën…”, tha ai.

Tutje Maliqi tha se ka qëndruar deri vonë në Kurshumli, mirëpo s’ka mundur të bëj asgjë për lirimin  e tyre.

Lexo po ashtu MPJD thirrje qytetarëve të Kosovës: Shmangni kalimin nëpër Serbi

Ai tregoi se për momentin ata gjenden në paraburgim në Prokuple në mbajtje për 48 orë, pa aktakuzë ose ndonjë shkresë.

“Deri mbrëmë kam qenë në stacionin policorë të Kurshumlisë, mbrëmë i kanë çu në burg të Prokuplesë, në paraburgim 48 orë. S’ka as akuzë, as shkresë veç gojarisht që më kanë thënë…për momentin jam në Podujevë”, tha ai.

Po ashtu familjari i dy prej të arrestuarve tha se në Kosovë i ka lajmëruar të gjitha autoritetet, mirëpo tha se ata nuk po munden të ndërmarrin asnjë hap.

“I kam lajmëruar të gjitha autoritet e Kosovës. Është i lajmëruam komplet sistemi i policisë, e më thanë që s’mundemi kurrgjë me bo. Një zyrë ndërlidhëse është e OSBE-së në Beograd u njoftu, tjetër s’po di kënd me njoftu. Njërin e kam vëlla e tjetrin dhëndër, e dytë punojnë për mu. Dervish Maliqi, 1996 dhe Esat Muqolli, 1976. Tash kismet po shkoj andej, dhe po besoj që veç shkoj për badihava se s’kam mem lanë me i pa. Dje janë arrestu 7 llapjan, i pari që u arrestu është Fatmir Hajdari dhe pastaj janë arrestu shoferët e kamionëve dhe më pas janë arrestu këta dy…katër i kanë qu në Prekuple e tre tjerë se di”, ka thënë Maliqi.

Telegrafi po ashtu është munduar të marrë ndonjë informacion zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme, mirëpo të njëjtin nuk janë të qasshëm.

Ndryshe, dy javë më parë për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës (MPJD), u kishte bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin kalimin nëpërmjet Serbisë. /Telegrafi/

Exit mobile version