Site icon Telegrafi

Arrestohen një burrë dhe një grua në Pejë dhe Klinë, dyshohet se mashtruan viktimën përmes internetit – përfituan 80 mijë dollarë

Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka realizuar një operacion policor në Pejë dhe Klinë, ku janë arrestuar dy persona, të dyshuar për mashtrim dhe shantazh përmes internetit.

Sipas njoftimit të policisë, aksioni erdhi pas hetimeve disamujore dhe bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjatë kontrollit në dy lokacione, policia ka sekuestruar një veturë, dëshmi të transaksioneve financiare, dy telefona mobilë, dy armë zjarri, tetë fishekë dhe një maskë.

Dy të arrestuarit, një burrë dhe një grua, dyshohet se kanë përdorur rrjetet sociale për të mashtruar viktimat, duke shkaktuar dëm prej mbi 80 mijë dollarësh amerikanë.

“I dyshuari kryesor në këtë rast ka përdorur rrjetet sociale duke përdorur emër dhe fotografi personale të rrejshme, me qëllim të zhvatjes financiare i dyshuari ka arritur të mashtroj viktimën e cila i ka dërguar atij para përmes unioneve financiare. Të dyshuarit me veprimet e tyre kanë vënë në lajthim dhe kanë mashtruar viktimën duke i shkaktuar dëm me vlerë mbi 80 mijë dollarë amerikanë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Pas marrjes në pyetje, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë me urdhër të prokurorit. /Telegrafi/

Exit mobile version