Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka reaguar pas arrestimit të dy personave lidhur me vrasjen e Liridona Ademaj – Murseli në Sinidoll të Prishtinës, duke thënë se ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.
Liridona Murseli është vrarë të mërkurën në rrethana ende të pasqaruara, kurse lidhur me rastin janë dy persona të arrestuar, njëri prej tyre bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli.
Haxhiu në një postim në Facebook ka thënë se kriminelët do të përballen me drejtësinë.
“Me punë intensive, angazhim dhe bashkëpunim ndërmjet policisë dhe prokurorisë, janë arrestuar dy persona të cilët dyshohen për vrasjen e gruas në Prishtinë. Njëri nga personat e arrestuar është bashkëshorti i të ndjerës Liridonës, i cili ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë duke thënë që ishin cak i një grabitje”.
“Vlerësoj lart angazhimin e policisë dhe prokurorisë për sqarimin e rrethanave që shpijnë në zbardhjen e këtij krimi të rëndë që mori jetën e të ndjerës Liridonës. Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Haxhiu, transmeton Telegrafi.
Pas lajmit se është arrestuar Naim Murseli si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e bashkëshortes së tij Liridonës, ka reaguar kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli.
Pacolli, këshilltar i të cilit ishte Naim Murseli, derisa kreu i AKR-së ishte president i vendit, e ka cilësuar të pabesueshëm dhe të trishtueshëm kryerjen e aktit kriminal.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona lidhur me vrasjen e Liridone Ademaj-Murselit, kurse njëri nga të arrestuarit është Naim Murseli – bashkëshorti i viktimës.
Policia ka thënë se pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e vrasjes.
Ndërsa, burime të Telegrafit bëjnë të ditur se autori, që dyshohet se ka kryer vrasjen, e ka pranuar në Polici veprën dhe ka thënë se është paguar nga Naim Murseli për të kryer krimin.