Site icon Telegrafi

Arrest shtëpiak për 14 policët e arrestuar në Operacionin “Pika 2” në Vërmicë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.K, B.H, B.P, B.S, D.Z, F.H, I.I, I.S, N.S, R.K, S.K, S.P, SH.A dhe Z.P, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale në vazhdimësi Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkim me veprën penale Marrja e ryshfetit.

Sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.K, B.H, B.P, B.S, D.Z, F.H, I.I, I.S, N.S, R.K, S.K, S.P, SH.A dhe Z.P e ka refuzuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç.

Lexo po ashtu Operacioni “Pika 2” vë në pranga 26 zyrtarë policorë të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit

“Të pandehurve iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në bazë të nenit 183 lidhur me nenin 187 par.1 nën paragrafi 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK. Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Dje në pikën kufitare në Vërmicë janë arrestuar 26 zyrtarë policorë, prej tyre dy rreshterë policorë dhe 24 zyrtarë policorë. Arrestimi ndodhi gjatë operacionit të koduar me emrin “Pika 2” që ka filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit në Prizren, respektivisht në pikë kalimin kufitar në Vërmicë.

Një operacion të ngjashëm dje është realizuar edhe nga policia e Shqipërisë, ku janë arrestuar 34 zyrtarë policorë në pikën Kufitarë në Morinë, pikë kjo nga e cila udhëtarët kalojnë në pikën kufitare në Vërmicë. /Telegrafi/

Exit mobile version