Arne Slot beson se Liverpooli do të sfidohet nga tri klube në veçanti për titullin e Ligës Premier këtë sezon.
Liverpool e zgjati epërsinë e tyre në krye të tabelës ndaj kampionit në fuqi Manchester Cityt në pesë pikë, pasi regjistruan një fitore të lehtë me rezultat 2-0 ndaj Aston Villës të shtunën.
Kjo ishte fitorja e tyre e 15-të në 17 ndeshje të luajtura në të gjitha garat në sezonin 2024/2025 nën urdhrat e trajnerit Slot.
Tekniku holandez, sidoqoftë, është treguar i kujdesshëm dhe ka refuzuar që ta konsiderojë ekipin e tij si favoriti kryesor për titullin, përkundër fillimit të fortë të sezonit të ri.
Slot gjithashtu ka zbuluar se kush janë sipas tij tre ekipet që do ta rivalizojnë Liverpoolin në garën për titull.
“Nuk jam i sigurt ende në këtë ligë sepse Arsenal, City, Chelsea, të gjitha këto klube që po luajnë në ligë, ato janë në gjendje të fitojnë shumë ndeshje dhe këtë e kanë dëshmuar në sezonet e fundit”.
“Kështu që, ne jemi të fokusuar vetëm tek vetja jonë dhe pastaj një fitore ndaj një ekipi shumë të mirë si Villa, të cilët kanë bërë shumë mirë gjatë viteve të fundit, është gjithmonë e rëndësishme”, ka thënë trajneri i Liverpoolit.
Liverpooli do të rikthehet në aksion pas pauzës së kombëtareve ku do të përballen me Southamptonin më datë 24 nëntor./Telegrafi/