Telegrafi

Arifi për sjelljen e Serbisë: Kosova të veprojë konfrom interesave të veta

Anulimi i pjesëmarrjes së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, Ilir Deda dhe Blerta Deliu, në Kuvendin e Serbisë në takimin “Nëpërmjet idesë drejt paqes dhe zhvillimit”, si dhe ndalimi i shkuarjes së ekipit të karateistëve nga Kosova në Kampionatin Evropian të Karatesë, ka nxitur reagime të shumta.

Kjo sjellje e Serbisë ka dëshmuar edhe njëherë se shteti serb nuk synon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Avni Arifi shef i Ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nuk mund të hapen tema të reja për dialog me Serbinë.

Lexo po ashtu Deputetëve të Kosovës u anulohet pjesëmarrja në një konferencë në Serbi (Dokument)

“Sipas meje nuk është më tema te efekti por te përmbyllja e kësaj forme të dialogut. Nuk munden të hapen tema të reja për dialog përpara se të përmbyllet marrëveshja ligjore”, ka thënë Arifi.

I pyetur se cila duhet të jetë qasja e Kosovës në raport me Serbinë pas këtyre zhvillimeve të fundit, Arifi ka thënë se “Kosova duhet të veprojë konfrom interesave të veta”.

Gjatë ditës së sotme ka reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, i cili theksoi se normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve duhet së paku të garantoj garat ndërkombëtare për sportistë.

Lexo po ashtu Ambasadori Delawie reagon në lidhje me ndalesën e hyrjes së karateistëve në Serbi  

E lidhur me ndalimin e karateistëve të Kosovës për pjesëmarrje në Kampionatin Evropian dhe ndalimit të pjesëmarrjes së deputetëve në takimin e Komisioneve për Integrim Evropian të vendeve të Ballkanit, ka reaguar edhe kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se autoritet serbe nuk janë duke punuar në rregullimin e marrëdhënieve mes palëve.

Reagim ka pasur edhe nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi i cili u shpreh se Serbia po tenton ta përziejë politikën me sportin.

Lexo po ashtu Haradinaj: Ndalimi i hyrjes së karateistëve të Kosovës në Serbi është i papranueshëm

Po ashtu reagime ka pasur edhe nga ana e Demokratëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, të cilët i cilësuan si shembuj të shpirtngushtësisë veprimet e Serbisë. /Telegrafi/