Sezoni veror në Kosovë karakterizohet me ardhjen e mërgimtarëve, të cilët në vendlindje përveç se çmallen me të afërmit e tyre, i japin edhe gjallëri e “infuzion ekonomik” vendit.
E këtë vit duket se sezoni është më i vonuar, krahasuar me vitet e kaluara.
Në Odën e Hotelerisë dhe Turizmit thonë se shkak për këtë janë bërë zhvillimet e fundit në veri dhe tensionimi i situatës atje.
“Sezonin veror këtë vit ka filluar me vonesë. Tani po shihet që është duke ardhur një fluks më i madh i bashkatdhetarëve. Përkeqësimi i situatës në veri të vendit ka ndikuar që mërgimtarët po hezitojnë që të kalojnë nëpër Serbi dhe ka raste që i kanë anuluar organizimet në Kosovë për shkak se nuk kanë mundur që të vijnë”, tha në një prononcim për Telegrafin kryetari i OHT-së, Hysen Sogojeva.
Sipas tij, nuk mund të thuhet që ky sezon është i dështuar, por shtoi se në krahasim me muajin korrik të vitit të kaluar “shihet që është më dobët”.
Sa i përket çmimeve, ai theksoi se ka tendencë të lehtë që të rriten gjatë sezonit veror, ndërsa apeloi te bizneset dhe veprimtaritë e tjera që të mos e bëjnë një gjë të tillë vetëm për shkak të ardhjes së mërgimtarëve.
Ndërsa, i pyetur nëse ka mungesë të fuqisë punëtore, Sogojeva tha se ndonëse është e theksuar bizneset po ia dalin disi.
“Ka mungesë edhe të fuqisë punëtore, por disi po ia dalin. Tash punëtorët po paguhen më mirë dhe natyrisht kërkohen më shumë detyra e përgjegjësi. Në këtë mënyrë kjo pjesë disi po mbulohet edhe pse vërehet që ka mungesë të punëtorëve”, përfundoi ai.
Megjithatë, numri i personave që kanë hyrë në Kosovë ka shënuar rritje krahasim me vitin paraprak. Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shënuar rritje të numrit të udhëtarëve për rreth 15 për qind krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Gjatë kësaj periudhe janë realizuar mbi 10 mijë e 400 fluturime, ku numri më i madh është nga Zvicra, ndjekur nga Gjermania, Turqia dhe Austria.
Sipas të dhënave të ANP “Adem Jashari” dërguar për Telegrafin, numër më i madh i ardhjes dhe shkuarjes së mërgimtarëve është realizuar gjatë muajve prill dhe maj, ku kanë ardhur në total 586 mijë e 157 udhëtarë me 4 mijë e 40 fluturime.