Andrea Pirlo në vitin 2001 u largua nga Interi si një lojtar “pavlerë” për zikaltërit, një vendim që me siguri Massimo Moratti dhe klubi zikaltër janë stërpenduar disa vite më vonë.
Ky ndoshta ishte episodi që vendosi karrierën e një prej “dirigjentëve” më të mëdhenj në mesfushën e futbollit. Pirlo kaloi tek Milani dhe “profesori” Carlo Ancelotti shpejt u besoi këmbëve të tij organizimin e lojës.
Kaq mjaftoi dhe ai me topin bëri mrekulli, dy tituj kampionë dhe dy Liga Kampioneve me “kuqezinjtë”, si dhe një Kupë Bote me Italinë e tij, të gjitha brenda një dekade.
Në 2011, gabimin e Interit e përsëriti Milani, që me Max Allegrin në atë kohë besonin se vitet kishin bërë të veten dhe Andrea nuk u duhej më në mesfushë. Nga kjo përfitoi Juventusi dhe Pirlo u provoi që në sezonin e parë drejtuesve të Milanit se gabuan.
Katër tituj kampionë radhazi me “Bardhezinjtë” ishte prova e kësaj, ndërsa pengu i madh mbeti finalja e 2015 kundër Barcelonës, e humbur 1-3. Edhe për një 36-vjeçar si Pirlo, ritmi i Serisë A dhe futbollit evropian ishte një peshë e rëndë në atë kohë, ndaj vendosi të kalojë Atlantikun, për t’iu bashkuar New York City FC në MLS.
Kjo transfertë ishte një gjysmë lamtumirë, pasi e largoi nga prozhektorët e mëdhenj të futbollit, ndërsa pas dy sezoneve mbërrin lamtumira e plotë. Pesë minutat që luajti në sfidën Play-off të Major League Soccer mes New York Cityit dhe Columbus Crew ishin të fundit për Andrea Pirlon në karrierën e tij si futbollist. /TCh/