Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha të enjten se mungesa e bashkërendimit të qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara lidhur me rregulloren që ndalon dinarin serb, tashmë ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.
Lidhur më këto reagime të Hovenierit dhe Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit James O’Brien i cili dy ditë më pare tha se qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara, kanë debatuar analistët në RTV Dukagjini.
Ish-deputeti Visar Ymeri thotë se mesazhet e amerikanëve në drejtim të Qeverisë duhet të jenë alarm për shoqërinë.
“Hovenier sot doli në konferencë dhe gati sa nuk tha se qeveria po gënjen për raportet me SHBA-në. Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë duke marrë një dimension të rrezikshëm. Një qeveri që e konsideron veten serioze sot po mundohet të fsheh një të vërtet që është e dukshme. Kritikat e SHBA jo që po e shqetësojnë qeverinë, por me disa fraza bajate ata po thonë se ne jemi duke u koordinuar me SHBA. Këta mendojnë se popullit ja hedhin me aq lehtësi”.
Ymeri thotë se është lajm i mirë për shqiptarët që sot Blinken e konsideroi Shqipërinë si aleatin më të rëndësishëm në Ballkan.
“Për fat të keq ne nuk mund të ndërtojmë një sinergji me Shqipërinë pasi në Kosovë kemi një qeveri adoleshente e kokëforte”.
Analisti Ylli Hoxha mendon se acarimi i raporteve të Kosovës me SHBA-në vjen si pasojë e nevojës së ndërkombëtarëve për të arritur sukses në dialog.
“Kurti nuk është sjellë në dialog si kryeministrat e kaluar. Ai nuk ka pranuar që procesi i dialogut të drejtohet me autopilot siç ka ndodhur më herët, por ka dashur që edhe ai të ketë fjalën e tij”.
Analisti thotë se megjithatë paralajmërimet e zyrtarëve të lartë të SHBA-së nuk mund të neglizhohen nga Qeveria.
Nga ana tjetër analisti Dardan Gashi thotë se mesazhi i ambasadorit Hovenier sot ishte shumë i qartë.
“Hovenier e tha që Albin Kurti është mashtrues dhe gënjeshtarë. Këtë pra e tha SHBA përmes ambasadorit e saj”.
“Si është e mundur që sot SHBA tha se Tirana është aleati kryesor në Ballkanin perëndimorë, e Blinken nuk e ftoi askënd nga Kosova në Tiranë. Kjo është shprehje e mosbesimit. Kjo është pika më e ulët e raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së”.
Gashi thotë se Albin Kurti do të përfundojë si i padëshiruar nga SHBA ashtu si Sali Berisha.
Analisti Lirim Mehmataj thotë se deri më tani Kosova nuk ka mundur të refuzojë asnjë kërkesë të SHBA-së.
“Frustrimi i amerikanëve me Kurtin është se ky ka pranuar shumë më tepër para tyre se që ne e dimë. Këtë e tha O’Brain në një intervistë për Zërin e Amerikës. Ai tha se Albini na ka premtuar shumë më tepër se që po zbaton tash. Historia po tregon se Kurti asnjëherë nuk është treguar sovranist”.
Analisti Dibran Hoxha thotë se Albin Kurti është i mbështetur për muri në raport me dialogun.
Ai thotë se ndërkombëtaret nuk janë të balancuar me kërkesat karshi Kosovës dhe Serbisë.
“Serbisë i thuhet “zbatoje marrëveshjen” e Kosovës “do ta shqyrtojmë partneritetin”, kjo qasje nuk është e balancuar./Telegrafi/