Votimi nga diaspora po shihet si një proces thelbësor që ndikon në rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë. Përkushtimi i partive politike ndaj diasporës reflekton rëndësinë strategjike të këtij elektorati në proceset zgjedhore.
Analistët thonë se partitë në këto zgjedhje e kanë marrë më seriozisht rolin e diasporës në zgjedhje.
Gazetari i Deutsche Welle, Bahri Cani, ka analizuar rolin dhe zhvillimet në diasporën kosovare gjatë periudhës zgjedhore, duke theksuar rëndësinë e votimit përmes postës që ka nisur më 9 janar dhe do të zgjasë deri më 8 shkurt 2025.
Cani vlerësoi se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur tubimin më të madh dhe më të organizuar në diasporë deri tani, konkretisht në qytetin e Shtutgartit.
“Për mendimin tim, tubimin më të organizuar deri tani e ka pasur PDK-ja në Shtutgart. Ky ka qenë takimi më i madh që është organizuar nga një parti në diasporë,” deklaroi Cani në emisionin Debat Plus.
Rënie e mbështetjes për Vetëvendosjen në diasporë?
Gazetari analizoi gjithashtu rënien e mbështetjes për Lëvizjen Vetëvendosje në diasporë, duke theksuar se partitë e tjera politike kanë filluar ta marrin më seriozisht këtë segment të rëndësishëm të elektoratit.
“Para katër vitesh, mbështetja për Vetëvendosjen ishte më e lartë, kryesisht sepse partitë tjera kishin neglizhuar diasporën. Tani, partitë politike po e kuptojnë se sa i rëndësishëm është votimi nga diaspora,” shtoi ai.
Analisti Sadri Ramabaja ka theksuar se diaspora kosovare është një faktor i pavarur nga ndikimet klienteliste, duke votuar bazuar në bindjet personale dhe jo në favore politike.
“Në ndërtimin e demokracisë, diaspora ka luajtur një rol vendimtar. Ata janë të çliruar nga ndikimet klienteliste dhe votojnë plotësisht sipas bindjeve të tyre,” tha Ramabaja.
Analisti Imer Mushkolaj thotë se për shkak se votat e diasporës janë numëruar në fund të procesit është krijuar gabimisht perceptimi se këta të fundit ja japin fitoren Albin Kurti.
“Vota e diasporës nuk duhet parë si votë kyçe për fitoren e askujt. Vota e diasporës duhet parë si votë në kuadrin e të gjitha votave që kanë dhënë qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Mushkolaj.
Ndikimi i votës së diasporës në rezultatin final
Analisti tutje ka thënë se vota e përgjithshme e diasporës në zgjedhjet e fundit nuk ka qenë më shumë se 1/10 e totalit të votave të përgjithshme në Kosovë.
“Ashtu siç është rritur vota e LVV-së në Kosovë, në mënyrë proporcionale është rritur edhe vota në diasporë për këtë subjekt politik”, ka shtuar Mushkolaj.
Por kështu nuk mendon analisti tjetër Bekim Kabashi i cili thotë se vota e përgjithshme e diasporës për LVV-në ishte në masën 75 për qind.
“43 mijë votues nga diaspora e kanë votuar Vetëvendosjen. Pa votën e diasporës LVV do t’i kishte 45% të votave”, ka deklaruar analisti.
Kabashi thotë se krahasuar me zgjedhjet e vitit 2010, diaspora ka pasur një ngritje shumë të madhe të interesimit për ta votuar Lëvizjen Vetëvendosje./Telegrafi/