“Kosova nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit”, u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot gjatë ditës derisa u pyet për sanksionet e vendosur nga Bashkimi Evropian për shkak të gjendjes në veri.
Kryeministri Kurti para mediave i quajti të padrejta masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, ndërsa shtoi se vazhdojnë me zbatimin e programit qeveritar, dhe se shpreson që këto masa të jenë të shkurtra.
Ndërsa, Bashkimi Evropian tashmë ka bërë të ditur se ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, këto masa janë ndërmarrë ndaj Kosovës për shkak se ka konsideruar se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, hapa të cilët janë kërkuar nga vazhdimisht nga ana e tyre.
Lidhur me masat e ndërmarra, Telegrafi ka pyetur zyrtarët e Bashkimit Evropian, por që deri tani nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
Masat e ndërmarra ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian po konsiderohen të njëanshme edhe nga njohësit e çështjeve politike në vend.
Analisti Gazmir Raci duke folur për zhvillimet e fundit në Kosovë, tha se masat janë të njëanshme.
“Natyrisht që këto masa sanksionuese janë shumë të njëanshme pasi që po vendosen vetëm ndaj Kosovës. Ndërsa, Serbia që nga viti 2011 kur ka filluar dialogu në Bruksel, ka sabotuar marrëveshjet në implementim. Nuk ka implementuar një pjesë të madhe. P.sh ka shkelur në mënyrë flagrante ato marrëveshje për të cilat ka vendosur nënshkrimet”, u shpreh ai.
Raci foli edhe për organizatën “Mbrojtja Civile”, të cilën Serbia e kishte shuar para një kohë, por që tani e ka aktivizuar sërish.
“Marrëveshjen e vitit 2013, Serbia është obliguar dhe ka pranuar ta shuajë “Mbrojtjen Civile”, i ka shuar por vitin e kaluar kur ndodhën barrikadat ajo i riaktivizoi “Mbrojtjen Civile”. Dhe në marrëveshjen e fundit bazike për planin franko-gjerman, përsëri Serbia nuk po zbaton obligimet që i ka marrë edhe në Bruksel edhe në Ohër. Serbia ka krijuar telashe gjatë implementimit duke krijuar paqartësi dhe duke kontestuar kohë pas kohë ato që është pajtuar”, tha ndër tjera ai.
Përveç se nuk ka sanksione ndaj Serbisë, Raci thotë se ky shtet po përfiton miliona euro nga Bashkimi Evropian.
“Dhe asnjë masë ndëshkuese, përkundrazi miliona euro po i jepen në kuadër të bashkëpunimit BE-Serbi”.
Analisti thotë se Qeveria e Kosovës duhet t’i marrë seriozisht masat e vendosura nga BE.
“Përderisa Kosova një aleate e sinqertë e perëndimit, ndëshkohet me lloj-lloj masash, që për mendimin tim janë shumë shqetësuese, dhe Prishtina zyrtare duhet me i marrë me seriozitetin më të lartë të mundshëm dhe t’i trajtojë. Dhe natyrisht me dhanë një përgjigje Bashkimit Evropian, krahas këtyre zhvillimeve që po ndodhin”.
Si përfundim, Raci thotë se nuk ka zgjidhje tjetër në veri përpos sundimit të ligjit.
“Nuk ka zgjidhje tjetër në veri, përpos sundimit të ligjit dhe rendit, dhe katër pikat e fundit të propozuar nga kryeministri Kurti janë në harmoni të plotë me tre pikëshin e komunitetit ndërkombëtar. Po zgjedhjeve të parakohshme në veri, por natyrisht ne nuk mund të shkojmë përsëri në zgjedhje nëse serbët lokalë atje nuk dalin lirshëm të votojnë për shkak të bandave kriminale atje që lidhen me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq”, shtoi ai.
Raci shtoi tutje se “Artikulli i New York Times do të duhej të merrej seriozisht nga Bashkimi Evropian, pasi që hapur flet për lidhjet e krimit të organizuar me presidentin serb”.
“Dhe asnjë zyrtar evropian nuk e dënon për lidhjet e tij me krimet. Është e pabesueshme dhe e pamundur që Serbia të kthehet nga perëndimi sepse lidhjet e tij janë me Rusinë, ndërsa Kosova nuk duket të jetë kurban i askujt, e sidomos i një shteti qe ndaj Kosovës ka bërë gjenocid”, tha ndër tjera ai.
Që masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të njëanshme mendon edhe analisti tjetër, Dritëro Arifi.
Arifi tha se masat e vendosura janë të njëanshme, por që beson se BE do të ketë sanksione edhe ndaj Serbisë.
“Realisht masat janë të një anshme, por unë po besoj që edhe Serbisë do t’i vendosin masa ndëshkuese, sepse nuk ka logjikë tjetër. Përveç nëse ka diçka që ne nuk e dim se çka kanë biseduar në takimet bilaterale. Por, në shikim të parë janë të njëanshme”, tha Arifi për Telegrafin.
Analisti tha se Qeveria Kurti duhet të jetë e kujdesshme rreth prononcimeve për BE-në dhe SHBA-në.
“Qeveria Kurti do të duhet të jete shumë e kujdesshme sa i përket prononcimeve, nga prononcimet e kryeministrit i bjen që BE dhe SHBA kanë kërkuar diçka jo kushtetuese, dhe kanë kërkuar mos me luftu krimin e organizuar dhe mos me shtri sundimin e ligjit, akuzë kjo jashtëzakonisht e rëndë. Nuk e di se si e ka përcaktuar këtë Qeveria e Kosovës, por nga ajo që po thuhet është akuzë shumë e rëndë. Prandaj po e shoh si një konfrontim fjalësh, që e dëmton Qeverinë e Kosovës”, sqaroi ai.
Mes tjerash, ai tha se “Kosova do të duhet të jetë e vetëdijshme që nga sanksionet nuk përfitojmë ne asgjë.
“Ne vetëm mund të shkojmë në regres dhe kundër procesit të integrimeve në familjen evropiane. Qeveria duhet të gjejë mënyrën se si ti bindë ndërkombëtarët që ka të drejtë, dhe mos të merren masa, pasi që në momentin që merren masa ndëshkuese ne penalizohemi, me të drejtë, apo pa të drejtë”.
Sipas analistit, tani situata është e komplikuar dhe se zgjedhjet e reja nuk e di sa janë opsion tani derisa nuk ka dialog mes Kosovës dhe BE-së.
“Çdo heshtje apo neglizhence ndaj kërkesave të BE-së, ne do të dërgohemi në izolim dhe kjo nuk i konvenon Kosovës”.
Kujtojmë se që nga data 26 maj në katër komunat veriore, Zubin Potok, Leposaviq, Mitrovicë e veriut dhe Zveçan ka pasur protesta të dhunshme të organizuara nga serbët lokalë.
Serbët kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë, duke sulmuar dhunshëm objektet komunale dhe duke tentuar të hyjnë më forcë brenda tyre.
Gjatë eskalimit të situatës, janë lënduar policë, ekipet e mediave dhe ushtarë të KFOR-it.
Po ashtu, kohë pas kohë janë sulmuar edhe komunat me shok-bomba dhe granata dore, ku janë dëmtuar disa vetura zyrtare.
Thirrje për qetësimin e situatës në veri kanë bërë zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe ata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/