Site icon Telegrafi

Analistët flasin për sfidat që do të përballet Avdullah Hoti në qoftë se zgjidhet kryeministër

Foto: Arkiv

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, të mërkurën ka dhënë dritën e gjelbër se cilado parti apo koalicion që arrin ta bëjë shumicën në Kuvend do të mandatohet për formimin e Qeverisë.

Pas kësaj, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka njoftuar se kanë vendosur që Avdullah Hoti të jetë kandidat për kryeministër, dhe që Qeverinë janë të gatshëm ta bëjnë në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re dhe minoritetet jo-shumicë në Kuvend.

E për Hotin, kjo është tentativa e dytë për tu bërë kryeministër i Kosovës, pasi që ai edhe në vitin 2017 në zgjedhjet parlamentar ishte kandidat i LDK-së për kryeministër.

Lidhur me nominimin e Hotit, analistët vlerësojnë se ai do të përballet me disa sfida në qoftë se zgjidhet kryeministër.

Sfidë kryesore sipas analistëve është menaxhimi i pandemisë COVID-19, rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë dhe dialogu me Serbinë.

Valmir Ismaili nga Demokracia Plus ka thënë për Telegrafin se Hoti është profesionalisht i aftë për të udhëhequr Qeverinë.

“Është pritur që Hoti të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër. Konsideroj që Hoti profesionalisht është i aftë për të udhëhequr me qeveri. Ai është shquar për punën e mirë që ka bërë gjatë kohës kur ka qenë ministër i financave. Po ashtu, Hoti nuk është përfolur asnjëherë për ndonjë aferë korruptive. Për më tepër ai konsiderohet si një figurë e pranueshme për shumicën në LDK, por po ashtu edhe si njeri bashkëpunues me subjektet tjera politike. Sfida kryesore e qeverisë së re do të jetë COVID-19, përkatësisht menaxhimi i kësaj pandemie deri në përfundim të saj. Pastaj, do të jetë rimëkëmbja ekonomike nga dëmet që do t’i pësoi nga kjo pandemi. Në aspektin e jashtëm natyrisht që është arritja e një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, theksoi ai.

Valmir Ismaili, Demokracia Plus

Ismaili shtoi më tej se gjatë kësaj qeverisje është e domosdoshme të ketë reformë kushtetuese dhe zgjedhore.

“Varësisht se sa i gjatë do të jetë mandati i kësaj qeverie, do të ishte e domosdoshme që të kemi edhe një reformë kushtetuese dhe zgjedhore për të shmangur të gjitha këto paqartësi që po na shfaqen që nga fillimi i procesit zgjedhor e tutje”, deklaroi.

Lexo po ashtu LDK merr vendim, Avdullah Hoti kandidat për kryeministër

Lidhur me nominimin e Hotit, për Telegrafin foli edhe Artan Demhasaj nga organizata joqeveritare Çohu.

Ai numëroi disa nga sfidat që do të has Hoti si kryeministër.

“Mendoj që sfida e parë dhe kryesore e Hotit nëse zgjidhet kryeministër është heqja e reciprocitetit të vendosur nga Qeveria Kurti, dhe njëkohësisht dialogu me Serbinë dhe potencialisht arritja, nënshkrimi dhe ratifikimi i asaj marrëveshje”, potencoi ai.

Kurse, sa i përket sfidave të brendshme, Demhasaj përmendi ballafaqimin me situatën COVID-19.

“Në aspektin e brendshëm si sfidë do të jetë ballafaqimi me situatën e COVID-19, që do të përfshinte edhe ballafaqimin me situatën e pafavorshme ekonomike, kjo për shkak të humbjeve të mëdha ekonomike, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat”, u shpreh ai.

Artan Demhasaj, organizata joqeveritare Çohu

Sfidë për Hotin sipas analistit do të jetë edhe sektori i drejtësisë.

“Sfidë tjetër mbetet sektori i drejtësisë, lufta kundër korrupsionit dhe investimet në sektorin e shëndetësisë publike”, tha Demhasaj.

Ndryshe, Qeveria Kurti është rrëzuar pas mocionit të mosbesimit më 25 mars. Mocioni ishte iniciuar nga LDK, e që ishte përkrahur edhe nga partitë opozitare. Pas votimit të mocionit, presidenti Thaçi kishte kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje të propozojë kandidatin e ri për kryeministër, mirëpo nga kjo parti nga ka pasur propozim. Sipas, presidentit, LVV ka refuzuar të bëjë propozimin e mandatarit të ri, prandaj e drejta për të formuar Qeverinë  i jepet partisë që bën numrat në Kuvend./Telegrafi/

Exit mobile version