Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, është shprehur mirënjohës ndaj presidentes Vjosa Osmani dhe partive politike për siç ka thënë, lidershipin dhe angazhimin konstruktiv në shtyrjen e zgjedhjeve në veri të vendit.
Ai ka publikuar deklaratën e plotë të Ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zyrës së BE-së, të cilat kanë mirëpritur vendimin e sotëm të institucioneve të Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave në veri.
“Mirënjohës ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe zyrtarë të partive politike për lidershipin dhe angazhimin e tyre konstruktiv në shtyrjen e zgjedhjeve të ardhshme në katër komunat veriore të Kosovës”, ka shkruar Hovenier në rrjetin social Twitter.
Grateful to @VjosaOsmaniPRKS and political party officials for their leadership & constructive engagement in postponing the upcoming elections in four northern municipalities in Kosovo. Read the full statement: https://t.co/pD4YLAhl6f
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) December 10, 2022
Për shkak të rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani njoftoi se zgjedhjet janë shtyrë për në prill.
Ajo caktoi 23 prillin e vitit 2023, datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.
Osmani bëri të ditur se ka pasur konsensus të plotë mes partive politike në vend për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve dhe se është marrë parasysh edhe vlerësimi i institucioneve kompetente rreth situatës së sigurisë në veri. /Telegrafi/