Telegrafi

Ambasadori gjerman dhe ai francez i shkojnë në zyre Kurtit – kërkojnë gjetjen e zgjidhjes për targat brenda afatit 48 orësh

Mos arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave në Bruksel, ka nxitur angazhime dhe reagime të ambasadorëve të vendeve të QUINT-it.

Lidhur me këtë situatë, kryeministrit Albin Kurti sot i shkuan në zyre ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës, Jorn Rohde dhe Olivier Guerot.

Kështu ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, ku u theksua se takimet e djeshme në Bruksel ishin temë qendrore e diskutimit me ç ‘rast  kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët me qëndrimet e mbajtura dhe propozimet e dhëna të Republikës së Kosovës përgjatë tyre.

“Ai e ritheksoi se përmes pjesëmarrjes në takime të ftuara nga ndërmjetësuesit dhe propozimeve të saj, Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitetin, gatishmërinë dhe interesimin për arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër dhe se për dallim nga Serbia, e konsideron si bazë të mirë propozimin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftim.

U theksua nevoja për përpjekje maksimale për arritjen e një dakordimi brenda orëve të mbetura nga afati shtesë prej 48 orësh, ashtu që përafrimi i djeshëm në Bruksel të rezultojë në pajtueshmëri të përbashkët.​ /Telegrafi/