Site icon Telegrafi

Ambasadori britanik, O’Connell: Ëndrra ime është të bëj një për qind për vendin tim nga ajo që kanë bërë Vokrri dhe Driton Toni Kuka për Kosovën

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka bërë një deklaratë shumë motivuese për suksesin e sportit të Kosovës.

Pas fitores bindëse të Përfaqësueses sonë kundër Azerbajxhanit dhe pas kualifikimit historik në gjysmëfinale të Ligës D në Ligën e Kombeve, ai ka bërë një postim në rrjetet sociale për të shprehur admirimin e tij për ikonën e ndjerë të futbollit shqiptar, Fadil Vokrri.

Njëherësh, edhe për trajnerin e jashtëzakonshëm të xhudos, Driton Kuka, i cili i ka udhëhequr xhudistët e vendit tonë drejt sukseseve historike në garat ndërkombëtare.

“Ëndrra ime është të bëj për vendin tim 1% çka kanë bërë Fadil Vokrri dhe Driton Toni Kuka për vendin e tyre”, ka shkruar O’Connell në gjuhën shqipe në Facebook.

Lexo po ashtu Gjithçka që ndodhi në ndeshjen KOSOVË 4-0 Azerbajxhan

Nuk ka munguar edhe falënderimi i Driton Kukës për këtë vlerësim të ambasadorit britanik.

“I nderuari z. Ambasador, jam shumë i nderuar që vlerësohem nga një diplomat i shkëlqyer i një vendi të madh”, ka shkruar Kuka.

Theksojmë që Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë kundër Maqedonisë në gjysmëfinale të Ligës D në Ligën e Kombeve. /Telegrafi/

 

Exit mobile version