Pas takimit me nënkryetarët e LDK-së, Vjosa Osmanin dhe Lutfi Hazirim, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje ka takuar edhe liderin e kësaj partie dhe kandidatin për kryeministër, Albin Kurtin.
Sipas njoftimit të LVV-së, në takimin me Kurtin, ambasadori Kosnett ka shprehur interesimin e tij për ecurinë e bisedimeve rreth formimit të qeverisë së re, duke uruar që institucionet e Republikës së Kosovës të themelohen sa më parë, në mënyrë që edhe puna për një shtet të së drejtës që lufton korrupsionin dhe zhvillon ekonominë t’i sjellë rezultatet e para.
“Shefja e Sektorit Ekonomik në këtë ambasadë, znj. Michaelson, vuri theksin te rëndësia e zhvillimit ekonomik në vend duke shprehë interesimin dhe mbështetjen e ambasadës për projektet e qeverisë së ardhshme në këtë drejtim”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
Ndërkaq, Kurti e ka njoftuar ambasadorin Kosnett me ecurinë pozitive të takimeve me Lidhjen Demokratike dhe shprehu bindjen se shumë shpejt do të formohet qeveria e re.
Prioritet do t’i kushtohet sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit të lartë institucional, në mënyrë që t’i hapet kështu rrugë edhe progresit socio-ekonomik. Përpos luftës ndaj korrupsionit, me z. Kosnett dhe znj. Michaelson u ndanë edhe idetë tona për zhvillimin ekonomik të bazuar në politika mbështetëse për bizneset e vogla dhe të mesme në përgjithësi, në prodhimin vendor, dhe në arsimin e lidhur me ekonominë. Bindja jonë është se zhvillimi ekonomik i integron edhe qytetarët me bindje e besime të ndryshme brenda Republikës por edhe shtetet mes vete”, citohet të ketë thënë Kurti.
Në takimin e sotëm të Kurtit me ambasadorin Kosnett ishin të pranishëm edhe nënkryetari i LVV Besnik Bislimi, kurse ambasadori amerikan shoqërohej nga këshilltarja politike, znj. Jessica Long dhe shefja e Sektorit Ekonomik në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, znj. Lori Michaelson.
Sot pasdite ambasadori amerikan ka zhvilluar njw takim edhe me nwnkryetarwt e LDK-sw, Vjosa Osmanin dhe Lutfi Hazirin.
LDK ka njoftuar se në takimin e ambasadorit amerikan, Philip Kosnett me dy nënkryetarët është diskutuar për situatën aktuale politike në vend dhe bisedimet me Vetëvendosjen për formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e tetorit 2019./Telegrafi/