Telegrafi

Ambasada britanike për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq: Udhëheqësit e protestave ta parandalojnë dhunën

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar lidhur me sulmin ndaj ekipeve të mediave, që ka ndodhur këtë të premte në Leposaviq, nga protestues serbë të maskuar.

Në reagimin e ambasadës thuhet se dhuna ndaj gazetarëve është gjithmonë e papranueshme dhe e pajustifikuar.

Lexo po ashtu Gazetarët dhe kameramanët sulmohen fizikisht nga persona të maskuar në Leposaviq

“Iu bëjmë thirrje atyre që udhëheqin protestat të parandalojnë dhe dënojnë dhunën ndaj atyre që punojnë për të raportuar mbi ngjarjet”, kanë thënë nga ambasada britanike.

Ekipet e mediave, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV janë sulmuar nga persona të maskuar në komunën e Leposaviqit.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka njoftuar se kameramani Bardh Bekteshi ka pësuar lëndime të rënda në kokë dhe trup.

“Sulmohen mediat në Leposaviq, kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, pëson lëndime të rënda në kokë dhe trup. Ekipet mediale nga Prishtina kanë qenë sot cak i një sulmi brutal derisa po kryenin punën e tyre në Leposaviq. Kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, është sulmuar fizikisht siç shihet në videon shqetësuese të dërguar në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, nga ekipet në terren”, thuhet në njoftimin e AGK-së./Telegrafi/