Telegrafi

Alexander-Arnold do të jetë objektivi kryesor i Barcelonës në sezonin e ardhshëm

Barcelona po synon Trent Alexander-Arnold si nënshkrimin e tyre kryesor të afatit kalimtar të verës së vitit 2023.

Sipas mediumit Liverpool Echo, thuhet se gjigantët spanjollë duan Alexander-Arnold në mënyrë që të ‘plotësojnë skuadrën e tyre’.

Ky medium shton se Barça do të ofronte një tarifë transferimi prej 67 milionë funte apo 80 milionë euro për yllin e Liverpoolit.

Kjo shifër duket tepër e ulët duke marrë parasysh gjendjen e tregut të transferimeve dhe profilin e Alexander-Arnold, i cili konsiderohet si njëri nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në futbollin botëror.

23-vjeçari ka kontratë me Liverpool deri në vitin 2025 dhe ka qenë në klub për të gjithë karrierën e tij pas ardhjes nga akademia e të rinjve.

Barça aktualisht ka lojtarë si Sergino Dest dhe Sergi Roberto për të luajtur në pozicionin e mbrojtësit të djathtë, por asnjëri nuk ka bindur me nivelin e treguar.

Ata po shohin një talent superyll për të plotësuar pozicionin për vitet në vijim, me skuadrën e La Ligës që supozohet se ka përcjell vazhdimisht reprezentuesin anglez.

Liverpooli ka një histori të shitjes së lojtarëve kryesorë te Barça, pasi i ka shitur yje si Luis Suarez, Javier Mascherano dhe Philippe Coutinho gjatë viteve.

Por, mendimi për largimin e Alexander-Arnold nga Liverpool duket jashtëzakonisht i pamundur duke marrë parasysh besnikërinë e tij ndaj klubit.

Alexander-Arnold bëri debutimin e tij me Reds në 2016 dhe ka qenë gjithmonë i pranishëm që atëherë.

Ai ka bërë 227 paraqitje për Liverpoolin, duke fituar Ligën Premier, Ligën e Kampionëve, FA Cup dhe EFL Cup, ndër trofe të tjerë. /Telegrafi/