Më shumë se 50 për qind e popullsisë së përgjithshme përballet me problemin e erës së keqe të gojës – të njohur si halitosis – e cila mund të jetë e sikletshme dhe mund të ketë një ndikim psikologjik te personi.
Ky fenomen shpesh bëhet i dukshëm kur një person ndihet pakëndshëm gjatë një bisede me të tjerët, shpesh duke u përpjekur ta mbulojë problemin duke vendosur grushtin para gojës.
Megjithatë, era e keqe e gojës mund të lindë nga shkaqe të ndryshme, duke përfshirë konsumimin e disa ushqimeve, si qepa, rritja e sekrecioneve nga goja, por shkak mund të jenë edhe sëmundjet metabolike, duhanpirja, konsumimi i alkoolit, si dhe higjiena e dobët e gojës.
Një nga mënyrat natyrale për të hequr qafe erën e keqe të gojës është përmes konsumimit të karotave, të cilat mund të kenë efekt pozitiv në shëndetin oral në disa mënyra.
Furçë natyrale dhëmbësh
Karotat, për shkak të strukturës së tyre krokante dhe përmbajtjes së lartë të fibrave, mund të veprojnë si një furçë natyrale dhëmbësh, duke ndihmuar në heqjen e pllakave dhe gurëve nga dhëmbët.
Kontribuon në shëndetin e mishrave të dhëmbëve
Karotat janë burim vitaminash, si A, K dhe biotin, të cilat janë çelësi për forcimin dhe përmirësimin e shëndetit të mishrave të dhëmbëve.
Forcimi i dhëmbëve
Përmbajtja e kalciumit dhe fosforit në karota mund të kontribuojë në forcimin e dhëmbëve, ndërsa përtypja e rregullt e karotave mund të ndihmojë në forcimin e kockës së nofullës.
Përveç karotave, disa mënyra tjera natyrale për ta luftuar erën e keqe të gojës, përfshijnë edhe konsumimin e kosit që përmban probiotikë, manaferrat, portokallet dhe pjeprin, të pasur me vitaminë C, si dhe respektimin e rregullave të higjienës orale, si larja e rregullt e dhëmbëve dhe pastrimi me fill.
Gjithashtu, një vizitë te dentisti mund të jetë me rëndësi vendimtare, veçanërisht nëse era e keqe e gojës shkaktohet nga sëmundja periodontale. /Telegrafi/