Telegrafi

Albulena Haxhiu paralajmëron padi ndaj Milaim Zekës

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka paralajmëruar padi ndaj ish-deputetit Milaim Zeka për shkak të një deklarate të këtij të fundit dhënë në RTV Dukagjini.

Blerim Sallahu, shef i kabinetit të ministres Haxhiu, ka thënë se të hënën ministrja Haxhiu do të dorëzojë padinë për shpifje ndaj Milaim Zekës.

“Ditë më parë në një studio televizive ish-deputeti Milaim Zeka ka deklaruar rrejshëm se Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti janë takuar me prokurorë nga zyra e prokurorit të specializuar kinse me qëllim të “veprimit”. Një deklaratë e tillë është e pavërtetë dhe shumë tendencioze”, ka shkruar Sallahu.

Lexo po ashtu Zeka: Takimet e fshehta te Albin Kurtit me Gjykatën Speciale shumë të çuditshme

Pasi e ka konsideruar deklaratë tendencioze atë të Zekës, Sallahu ka paralajmëruar për veprim nga ana e ministres Haxhiu.

“Për këtë deklaratë shpifëse, ministrja Haxhiu, të hënën do të dorëzojë padinë për shpifje ndaj deklaratës së z. Zeka. Shpifjet e tilla janë të papranueshme dhe për të njëjtat shpifësit duhet të marrin përgjegjësi juridiko civile në përputhje me legjislacionin në fuqi”, shkruan më tej shefi i kabinetit të ministres Haxhiu./Telegrafi/