Telegrafi

Akuzat ndaj ambasadorit Berishaj, deklarohet presidentja Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka folur edhe për akuzat që i janë drejtuar ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, se është i përfshirë në një skandal financiar.

Osmani tha se ambasadori e ka mohuar një gjë të tillë dhe se Berishaj do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për akuzat që i janë drejtuar.

“Është për keqardhje që ju konstatoni një gjë për një ambasador të Republikës së Kosovës, e cila nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë por thjesht është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore. Sa i përket dekretimit e kam dekretuar edhe shtetësinë edhe pozitën e ambasadorit, pasi janë kompetenca të plotë të presidentes dhe kam vepruar në përputhje të plotë me ligjin”, tha ajo.

Lexo po ashtu Ambasadori Berishaj i quan shpifje akuzat se është i përfshirë në një skandal financiar: Padia ime i hapë rrugë fjalës së fundit në gjykatë

Osmani po ashtu përmendi një thënie të presidentit të SHBA-së, Joe Biden se “rreziku më i madh në raport me demokracinë nuk janë vetëm tanket por edhe dezinformatat”.

Ajo tha se i beson ambasadorit Berisha në mohimin e akuzave të tilla.

“I besojmë ambasadorit të Republikës kur ai i mohon akuzat e tilla. Ai do t’i dërgoj të gjitha këto në organet e drejtësisë dhe bashkërisht do e presim vendimin e organeve të drejtësisë…”, u shpreh ndër të tjera presidentja, Vjosa Osmani. /Telegrafi/