Policia e Kosovës, në vazhdën e përpjekjeve për parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, ka realizuar një operacion policor në disa lokacione të ndryshme për veprat penale që ndërlidhen me trafikimin e armëve dhe kultivimin e bimëve narkotike.
Sipas një njoftimi për media, Policia e Kosovës, përkatësisht Divizioni Kundër Krimit të Organizuar, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, kanë zhvilluar hetime intensive, me qëllim të zbardhjes së veprimtarive kriminale të disa personave të dyshuar që kryenin veprat e lartcekura.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se si rezultat i veprimeve të marra është realizuar operacioni policor në rajonin e Mitrovicës së Jugut dhe në rajonin e Pejës, i cili ka rezultuar me shoqërimin në stacion policor të 11 personave të dyshuar.
“Po ashtu njësiti policore në këto lokacione, kanë kryer kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse, pronë e të dyshuarve të përfshirë në raste, me qëllim të mbledhjes së provave për veprimtarinë kriminale të të dyshuarve, me ç‘rast është gjetur një plantacion i bimëve narkotike në fushë të hapur (pyll)”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sipas njoftimit gjatë këtij operacioni policor në të dy rajonet në Pejë dhe në Mitrovicë të Jugut, janë sekuestruar provat materiale si: shtatë armë (2 Ak47, 5 revole), rreth 70 fishekë kalibër të ndryshëm, 92 bimë kanabis (marihuanë) me lartësi 1- 1.5 m, mbi 25 gramë kokainë, 5500 euro (para të gatshme), gjashtë telefona, si dhe dokumente relevante për rastin.
Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim, pas procedurave të intervistimit me urdhër të prokurorit kompetentë 6 prej tyre janë dërguar në mbajtje.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë përkushtimin e saj në realizimin e detyrave për parandalimin dhe luftimin e krimit si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave kryes të veprave penale”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/