Telegrafi

Ajeti në pritje të rikthimit në Zvicër, por Baseli nuk dëshiron të shpenzojë para

Albian Ajeti

Albian Ajeti është në pritje për tu rikthyer te Baseli pas dy viteve e gjysmë të kaluara në Ishull.

Sulmuesi nga Kosova ishte larguar në drejtim të West Ham United në verën e vitit 2019 për një shumë rreth 12 milionë euro.

Pas hapësirave të vogla te West Ham United, ishte gjiganti skocez Celtic që shpenzoi pesë milionë euro për transferimin e tij në Skoci.

Ajeti nuk ka pasur hapësira të mëdha këtë edicion dhe po kërkon largimin.

Edhe pse u raportua për një rikthim të tij në Zvicër që po mirëpritet nga vet llapjani, një gjë e tillë duket vështirë se do të ndodhë.

Baseli nuk është i interesuar të shpenzojë para në këtë afat kalimtar të janarit, përkundër se kanë shitur brazilianin Arthur Cabral për një shumë prej 14,5 milionë te Fiorentina.

“Ne kemi kornizën tonë financiare. Kemi nevojë për një sulmues të fortë që sulmon hapësirat e thella dhe duhet të zëvendësojmë Arthur Cabralin urgjentisht”, ka thënë drejtori sportiv i zviceranëve, Philipp Kaufmann.

Duke parë ngërçin mes klubeve, Daily Record nuk përjashton mundësinë që dy klubet në fund të gjejnë një marrëveshje që Ajeti të huazohet në Basel deri në verë.

Gjithsesi Celtic është i interesuara që t’i vendosë një klauzolë klubit zviceran për ta blerë Ajetin në verën e vitit 2022.

Ajeti këtë edicion ka zhvilluar 17 ndeshje me Celticin, ku në shumicën nga to është inkuadruar nga banka rezervë, duke shënuar edhe tre gola e duke asistuar në një tjetër.

24-vjeçari ka dalë nga akademia e Baselit, derisa për ekipin e parë ka luajtur tri vite në dy periudha të ndryshme 2015-16 dhe 2017-2019. /Telegrafi/