Telegrafi

Agresioni rus në Ukrainë, qytetarët: Kosova ta shfrytëzojë këtë mundësi për anëtarësim në NATO

Në kohën kur agresioni rus është i shtrirë mbi Ukrainën, të gjitha vendet e botës janë duke e ndjerë nevojën e madhe për siguri dhe mbrojtje.

Edhe institucionet e Kosovës dhe vetë qytetarët e saj kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në NATO, e konsiderojnë si hap të domosdoshëm drejtë një sigurie më të madhe për vendin.

Qytetari Xhemajl Rama, për Telegrafin thotë se kërkesa për anëtarësim të Kosovës në Aleancën Veriatlanike, duhet të fuqizohet edhe më shumë tani duke e pasur parasysh agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.

“Po normalisht që duhet të anëtarësohet Kosova në NATO dhe kjo çështje duhet të jetë obligative për ne. Sigurisht që një anëtarësim i tillë e rrit sigurinë në vend sepse vetë NATO, na çliroi neve, në luftën e fundit në Kosovë. E ky zë duhet të fuqizohet edhe më shumë duke e parë edhe agresionin rus në Ukrainë. Me të vërtetë edhe Ballkani Perëndimorë është në rrezik tani. Te shohim se çfarë po bëhet”, u shpreh Rama.

Xhemajl Rama, qytetar

Të njëjtin mendim me Ramën e ka edhe një qytetar tjetër. Mirsad Krasniqi shprehet se situata në të cilën ndodhet bota tani për shkak të krizës në Ukrainë, duhet të shfrytëzohet nga Kosova që të anëtarësohet në NATO.

“Sa më shpejtë duhet të fillojë anëtarësimin në NATO, është një moment i mirë që ne duhet ta shfrytëzojmë. Është momenti kur po shihet se kush është me bllokun rus dhe kush me Evropën dhe po shihet se çfarë rreziku po i shkakton botës Rusia. Gjithsesi, që do ta rriste kjo sigurinë në vend sepse është ajo marrëveshja që secili vend që është pjesë e NATO-s në rast se sulmohet, forcat e NATO-s e mbrojnë”, tha Krasniqi.

Mirsad Krasniqi, qytetar

Ndërkaq Shaip Deliu, mendon që duhet të punohet shumë nga ana e Kosovës për ta shtyrë përpara një çështje kaq të rëndësishme si anëtarësimi në Aleancën Veriatlanike.

“Patjetër që Kosova duhet të anëtarësohet në NATO, ajo është Aleanca më e fuqishme në botë. E kjo padyshim që do ta rrisë sigurinë e qytetarëve dhe të vendit të Kosovës, po ashtu duhet të punohet shumë që të shtyhen përpara dhe të rregullohen të gjitha këto çështje dhe Kosova të anëtarësohet në NATO. E pikërisht në këtë kohë duhet të i jipet më shumë rëndësi dhe nuk është dashur të pritet kjo kohë të vijë. E kjo është një shenjë e fuqishme të asaj se çka duhet të ndërmarr vetë Kosova”, deklaroi Deliu.

E Bajram Hajdaj thotë se Kosova është vendi që më së shumti e meriton anëtarësimin në këtë aleancë sepse popullata në Kosovë e don NATO’, Evropën dhe Amerikën, ai tutje shtoi se bashkëndjen me popullin ukrainas kjo pasi shqiptarët në Kosovë e kanë përjetuar një gjë të tillë vetë.

“Mirë është të fillohet menjëherë anëtarësimi në NATO, sepse popullata këtu e don NATO-n, e duan Evropën e duan demokracinë. Ne në një mënyrë jemi në NATO, ajo është këtu, KFOR-i është këtu ne e kemi edhe policinë tonë jemi një vend i sigurt. Por përkundër kësaj besoj që do të kishte më shumë siguri edhe Serbia do të tërhiqej sepse Serbia është vegël e Rusisë dhe nuk duhet të ketë në Ballkan kësi njerëz pra kriminelët duhet të largohen. Duke e parë rrezikun global sidomos në Ukrainë që po na dhimben ata njerëz sepse edhe ne kemi vuajtur shumë njësoj si ata. Kosova duhet të anëtarësohet në NATO”, përfundoi qytetari Hajdaj.

Bajram Hajdaj-qytetar
Lexo po ashtu Pas agresionit rus në Ukrainë, Mehaj kërkon bazë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë

E anëtarësimin e Kosovës në NATO, e kërkoi edhe Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, ai gjatë ditës së diel kishte takuar komandantin e KFOR-it, gjenral Ferenc Kajar ku i kishte kërkuar përshpejtim të procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe shtim më të madh të trupave të KFOR-it në veri të vendit.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, kemi dëshmuar dhe konfirmojmë qëndrimin dhe vendosmërinë e fuqishme që jemi luftëtarë të denjë në mbrojtje të vlerave euroatlantike të lirisë, paqes dhe demokracisë, vlera mbi të cilat qëndron NATO dhe misioni i saj. “Aleatë tanë, edhe ju vende, anëtare të NATO-s, që hezitoni në njohjen e realitetit shtetëror të Republikës së Kosovës, mos hezitoni më!”, kishte thënë Mehaj.

Lexo po ashtu Kongresisti amerikan: Kosova e meriton anëtarësimin në NATO

Ndërsa kjo deklaratë e Ministrit Mehaj, kishte marrë vëmendjen e shumë mediave ndërkombëtare, madje për një gjë të tillë kishte reaguar edhe kongresisti amerikan Ritchie Torres, i cili kishte deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në NATO, tani është më urgjentë se kurrë.

“Në sfondin e pushtimit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, Kosova sërish kërkon të jetë anëtare e NATO-s. Disa javë më parë, unë avokova për pranimin e Kosovës në NATO. Bërja e gjësë së duhur nga aleatët tanë nuk ka qenë kurrë më urgjente”, ka theksuar Torres./Telegrafi/