Agjenti i Marco Verrattit ka thënë se klienti i tij nuk do të largohet nga Paris Saint-Germaini, nëse këtë nuk ia kërkon klubi.
Mesfushori italian është lidhur vazhdimisht me klube, si Juventus, Inter, Bayern Munich, Real Madrid e Chelsea, mirëpo duket se ai do ta vazhdojë karrierën në Ligue 1.
“Marco do të qëndrojë te PSG”, u ka thënë gazetarëve agjenti Donato Di Campli.
“Ai ka kontratë deri në vitin 2021, prandaj do të qëndrojë në Francë. Tash për tash nuk ka kurrfarë dyshimi, sidomos për faktin se Marco është një person që i respekton kontratat e tij”.
“Nëse na thonë të shkojmë, atëherë do të shkojmë”, ka shtuar agjenti.
Ndryshe, Verratti nuk ka luajtur asnjëherë në Serie A, pasi u largua nga Pescara në sezonin kur u promovua nga Serie B. /Telegrafi/