Agjenti i Elseid Hysaj pret që mbrojtësi i djathtë të qëndrojë në Napoli, pasi tani klauzola e lirimit prej 50 milionë eurosh është e pavlefshme, por pranon se Maurizio Sarri mund ta kërkojë te Chelsea.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka befasuar me nivelin e treguar viteve të fundit duke qenë titullar i padiskutueshëm te Napoli dhe njëri nga lojtarët më të mirë në Serie A.
Paraqitjet e tij të mira dhe vazhdimësia kanë bërë Hysaj të jetë shumë i kërkuar nga skuadrat e mëdha evropiane.
Hysaj ka qenë i lidhur shumë me Chelsean dhe edhe më shumë nëse Sarri emërohet trajner i tyre.
Është agjenti i mbrojtësit shqiptar, Mario Giuffredi, i cili ka ofruar disa sqarime për të ardhmen e Hysajt.
“Kam lexuar disa pasaktësi: klauzola e lirimit në kontratën e Hysaj ishte e vlefshme deri më 30 qershor dhe jo në 5 korrik, por asnjë skuadër nuk u shfaq”, ka thënë ai për Radio Kiss Kiss.
“Unë mendoj se Elseidi do të përfundojë duke qëndruar te Napoli, por nëse Sarri shkon te Chelsea, ai mund ta kërkoj atë”.
“Në atë pikë, me klauzolën e tij të skaduar, negociatat duhet të organizohen…”, përfundoi agjenti Giuffredi. /Telegrafi/