Telegrafi

Abdixhiku: Nuk kam pritur rezistencë kaq të madhe, një qeveri e pastër nuk do të ndalonte formimin e komisionit hetimor

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se një qeveri e pastër nuk do të kishte arsye të ndalonte formimin e një komisioni hetimor.

“Nuk kam pritur rezistencë aq të madhe të Qeverisë në këtë çështje sepse një qeveri që do të pretendonte se do të ishte e pastër do të hapte rrugë për formimin e  këtij komisioni. Se bëhet temë kjo çështje nuk do ta kisha besuar. Dhe meqë bëhet rezistencë kaq e madhe këtu ka diçka që po fshihet”, deklaroi Abdixhiku në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit.

Abdixhiku ka cilësuar energjetikën si një problem burimor dhe një krizë të menagjuar keq.

Sipas të parit të LDK-së, Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar lejimin e komisionit hetimor me arsye sikurse lufta aktuale në Ukrainë dhe kjo nuk është asgjë tjetër pos, një luftë politike e pastër.

“Jemi të pakopromis në hetimin e krizës së fundit”, ka thënë  Abdixhiku, duke shtuar se në grupin e moskompromiseve hyjnë keqmenagjimi, financat dhe vendi ku ato kanë përfunduar”, deklaroi Abdixhiku.

Ai ka përgëzuar Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i ka dhënë të drejtë opozitës.

Lexo po ashtu Arben Gashi e propozon Glauk Konjufcën për kryetar të Komisionin hetimor për energjinë

“Keni zbuluar temë ku keni zë të përbashkët tri partitë opozitare”, ka thënë Visar Ymeri, analist.

Abdixhiku kishte shërbyer si ministër i infrastrukturës në qeverinë e Albin Kurtit, ku në koalicion ishin Vetëvendosje dhe LDK. Abdixhiku është kryetari më i ri në moshë, që ka drejtuar ndonjëherë LDK-në.