Site icon Telegrafi

Abazi i reagon Kurtit për rastin Dehari: Me pushtet absolut, kërkojnë drejtësi nga dikush tjetër

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi ka reaguar pasi kryeministri Kurti dhe zyrtarë të lartë nga Lëvizja Vetëvendosje kërkuan drejtësi për Astrit Deharin, në shtatë vjetorin e vdekjes së mistershme të këtij të fundit.

Abazi përmes një shënimi në Facebook e ka thënë se LVV që ka pushtet absolut për kërkon drejtësi nga dikush tjetër.

“Peshkatarët e shpirtrave njerëzorë. Me pushtet absolut, me polici hetimore, me AKI, me Ministri të Drejtësisë, kontrollë të plotë mbi institutet dhe burgjet, laboratoret. Kërkojnë drejtësi nga dikush tjetër!”.

Ai ka thënë se kjo që po bën LVV është manipulim e keqpërdorim i dhimbjes dhe emocioneve të njerëzve.

Lexo po ashtu Kurti: Kosova nuk mund të jetë shtet i së drejtës në kuptimin e plotë të fjalës pa u zbardhur plotësisht rasti i Astrit Deharit

”Kjo hipokrizi nuk duhet të lejohet, kjo nuk duhet të rëndoj mbi supet e këtij vendi. Thirrni mendjes se i keni kalu të gjitha vijat e nderit e të respektit njerëzorë jeni bërë peshkatarët e shpirtrave njerëzorë”, ka shkruar tutje Abazi.

Ndryshe, kryeministri Kurti në një postim në Facebook ka thënë se Kosova nuk mund të jetë shtet i së drejtës në kuptimin e plotë pa u zbardhur rasti i Astrit Deharit e raste të tjera, dhe pa u dënuar përgjegjësit e krimit.

“Drejtësia, prokuroria, gjyqësori duhet t’i trajtojnë me urgjencë padrejtësitë dhe krimet në vendin tonë e kurrsesi t’i zvarrisin ato me muaj e me vite”, ka shkruar Kurti./Telegrafi/

Exit mobile version