Kënga Magjike për vite me radhë i ka dhuruar skenës muzikore gjithëshqiptare këngë të arrira, të cilat po i qëndrojnë kohës dhe dëgjohen edhe sot. “Kuturu”, “Të ndjej të huaj”, “Kur dashuria vdes”, “Refuzoj”, “Hape veten”, “Ku jeton dashuria ime”, “Me lere të fle”, “Tatuazh në zemër” e “Në krahët e tu” janë vetëm disa nga to.
Festivali po ashtu ka promovuar emra të rinj dhe ka afirmuar shumë të tjerë, që sot janë emrat të rëndësishëm të muzikës sonë. Dhe kështu vazhdon të mbetet një nga festivalet e rralla muzikore që po i mbijeton kohës, kur shumë të tjera fatkeqësisht janë ‘shuar’, transmeton “Express” KTV.
Në Kënga Magjike edhe këtë vit u prezantuan këngëtarë të njohur e të rinj. Albërie Hadërgjonaj, Mariza Ikonomi, Erik Lloshi, Kastro Zizo Anxhela Peristeri, Renis Gjoka, Altin Goci, Aurela Gaçe, Flori Mumajesi, Shpat Kasapi, Aslaidon Zaimaj, Egzona Ademi dhe Xhesika Polo, ishin disa nga garuesit.
Emisioni “Express” i KTV-së sjell një material të zgjeruar rreth votimeve mes këngëtarëve që bëhen në Festivalin “Kënga Magjike”. E kjo procedurë e votimit përmes së cilës zgjidhet fituesi kryesor, këtë vit çoi edhe deri te një incident mes kantautorëve Flori Mumajesi dhe Stine.
A duhet të ndryshojë kjo procedurë e votimit dhe të rikthehet juria profesionale? Çfarë thonë ata që këtë vit ishin pjesëmarrës në këtë festival? Çfarë panë për së afërmi? Për këto dhe shumëçka tjetër, mund ta shikoni videon e mëposhtme.