Telegrafi

A do të mund Qeveria e Kosovës të punësojë 200 mijë persona?

Instituti GAP ka organizuar një konferencë për media me temë “Projektbuxheti 2016: Sa premton zhvillim të qëndrueshëm ekonomik?”.

Agron  Demi dhe Berat Thaqi nga ky institut kanë thënë se projekt buxheti i vitit 2016 nuk ka rritje të pagave por ka rritje te subvencioneve.

“Edhe kjo Qeveri si të kaluarat dëmton projektet kapitale. Buxheti i RTK-së është  buxhet shtese, i pa paraparë ndërsa Qeveria e Kosovës jo serioze në këtë aspekt”.

Berat Thaqi, hulumtues në këtë institut ka thënë se 50 % e buxhetit është planifikuar të investohet në Ministrinë e Infrastrukturës.

“100 % e këtyre projekteve janë të destinuara për rrugë”, ka thënë ai, njofton Klan Kosova.

Poashtu GAP ka thënë   se nuk është paraparë fondi për sigurime shëndetësore dhe fondi për punësim dhe investime përmes të cilit janë planifikuar 200.000 vende të reja të punës.

Ata gjithashtu kanë bërë të ditur se analiza që ka realizuar GAP do t’u dërgohet deputetëve për rishikim dhe për të analizuar vërejtjet që janë gjetur nga ky institut, njofton Klan Kosova.

Sipas tyre, kjo do të bëhet në mënyrë që të shqyrtohen këto vërejtje para se të aprovohet.

Në këtë konferencë është thënë se të hyrat për 2016 do të jenë kryesisht nga TVSH ndërsa sipas tyre taksapaguesi po vazhdon të mbetet më i rënduari.

Berat Thaqi është shprehur se Qeveria nuk e ka futur në projekt buxhet sigurimin shëndetësor edhe pse e kishte premtuar ndërsa ka shtuar se nga projekt buxheti për investime kapitale kanë përfituar më së shumti Gjilani dhe Peja.