Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, njoftoi sot pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se seanca e radhës do të mbahet më 28 prill.
Në këtë seancë ajo tha se përveç pikave të zakonshme të rendit të ditës, do të diskutohet edhe për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar.
Për formimin e tij Kusari-Lila tha se ekzistojnë dy forma në të cilat mund të procedohet tutje.
“E para, mund të tërhiqen nënshkrimet e njërit grup parlamentar, në këtë rast AAK-së me nënshkrime më pak, dhe të merren nënshkrimet e Listës Serbe apo të tërhiqet krejtësisht kërkesa dhe të procedohet i njërit grup parlamentar të opozitës dhe të votohet në atë përmbajtje. Në formacionin aktual si është dorëzuar, bllokohet formimi i këtij komisioni, siç ka ndodhur edhe më herët”, u shpreh ajo para mediave.
Kusari-Lila foli edhe për misionin e UNMIK-ut duke thënë se i ka tej-skaduar afati.
“Kosova është vend i pavarur dhe sovran. Por, vendimi duhet të merret nga Këshilli i Sigurimit në OKB e aty janë Rusia dhe Kina që do të kundërshtonin një propozim të tillë. Por, funksionimi i UNMIK-ut nuk ka më asnjë efekt përmbajtjesor”. /Telegrafi/