Janë bërë 16 ditë që kur grupe të serbëve, vendosen barrikada në disa rrugë në veri të Kosovës, duke kundërshtuar kështu arrestimin e ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq.
Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika vazhdojnë të jenë të mbyllura për qarkullim që nga 10 dhjetori.
E për situatën atje faktori ndërkombëtar ka kërkuar që kjo të zgjidhet përmes dialogut.
KFOR-i të premten kërkoi zgjidhje përmes dialogut dhe që të shmangen shfaqjet provokuese të forcës.
“Ne i bëjmë thirrje të gjithëve palët për të ndihmuar në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë, dhe për të parandaluar që narrativat mashtruese të ndikojnë në procesin e dialogut”, u tha në njoftimin e KFOR-it.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se pas Krishtlindjeve do të takohet me komandantin e KFOR-it, për të sqaruar se si do veprohet me barrikadat në veri të Kosovës.
Në një konferencë për media të shtunën, Kurti tha se Qeveria është në pritje që KFOR-i të veprojë, por “kjo nuk mund të tolerohet pafundësisht”, sepse këto nuk janë barrikada civile, por “barrikada të njerëzve të uniformuar dhe të armatosur”.
Më 22 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se nëse KFOR-i nuk vepron, Kosova do t’i heq barrikadat.
Në të njëjtën ditë, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, paraqiti kushtet për heqjen e barrikadave gjatë një proteste në Rudar.
Ai kërkoi që paraprakisht të lirohen serbët e arrestuar, të tërhiqen “listat sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve” dhe të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.
Në veri të Kosovës janë vendosur gjithsejtë 11 barrikada. Vërehet prezencë e shtuar e pjesëtarëve të KFOR-it, në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë.
Policia e Kosovës ka shtrirë pikëkontrollet e saj në drejtimin Mitrovicë-Leposaviq me qëllim të pengimit të aktiviteteve kriminale, por duke siguruar kështu edhe lëvizjen e lirë.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre edhe nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se barrikadat do të largohen kur të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Prishtina zyrtare e kundërshton. /Telegrafi/