Site icon Telegrafi

11 vjet shtet, ekonomia e Kosovës e ballafaquar me shumë sfida

Ekonomia e Kosovës në të githa vitet e pavarësisë është ballafaquar me sfida dhe me një papunësi të madhe. Kështu thonë përfaqësues të biznesit, duke shtuar se dinamizmi ekonomik është dashur të jetë shumë i madh.

Ata thonë se me temat e natyrës politike, nuk guxojnë të lënë në hije prioritetet për fuqizimin e sektorit privat, si dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, për Telegrafin ka thënë se në 11 vite të ekzistencës si shtet i pavarur, Kosova ka mundur të bëjë shumë më shumë.

“Ajo çfarë mund të thuhet për sa i përket zhvillimeve ekonomike, është se vendi ka nevojë që zotimet verbale për zhvillim ekonomik, t’i përcjellë edhe me veprime konkrete. Temat e natyrës politike, sado të rëndësishme të jenë, nuk guxojnë të lënë në hije prioritetet për fuqizimin e sektorit privat, si dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Në 11 vite të ekzistencës si shtet i pavarur, mund të thuhet që shteti ka mundur të bëjë shumë më shumë”, tha Zeka.

Ai ka thënë se institucionet përgjegjëse duhet ta shtojnë dinamizmin, si vazhdimi i reformave fiskale dhe zbatimin e detyrimeve që dalin nga MSA-ja.

“Duke qenë dëshmitarë të një përkeqësimi në indikatorët ekonomikë gjatë vitit 2018, nuk ka dyshim se nevojitet një rritje e dinamizmit të institucioneve përgjegjëse. Në këtë aspekt, nevojitet vazhdimi i reformave fiskale, por edhe i përmirësimit të mjedisit afarist në përgjithësi, me theks të veçantë në fuqizimin e zbatueshmërisë së kontratave. Kosova, duhet të zbatojë marrëveshjet rajonale për tregti të lirë, si dhe të përmirësojë performancën në zbatimin e detyrimeve që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, si dhe të Programit të Reformave Ekonomike”, ka thënë ai.

Zeka shton se Kosova duhet të bëjë më shumë në luftimin e korrupsionit si dhe krijimin e një gjykate komerciale.

“Kosova, duhet të rezonojë stabilitet dhe rrjedhimisht edhe siguri më të madhe. Institucionet e vendit duhet të rrisin dinamikën për luftimin e korrupsionit, si dhe përmirësimin e zbatueshmërisë së kontratave. Krijimi i një gjykate komerciale, si dhe krijimi i Kodit Komercial, do të ishte një hapi i mirë në këtë drejtim. Krijimi i Gjykatës Komerciale, i cili do të trajtonte me shpejtësi kontestet e natyrës komerciale, do të ishte sinjal i duhur për investitorët e huaj”, tha për Telegrafin, Zeka.

Lexo po ashtu 10 vjet shtet, pak është bërë për ekonominë

Ai tregton se Kosova gjatë këtyre viteve ka dështuar t’i prezantoj në mënyrë të mirëfilltë potencialet e vendit para investitorëve të huaj.

“Derisa janë inkurajuese veprimet që janë ndërmarrë në lehtësimin e të bërit biznes, por edhe avancimin e vazhdueshëm të politikave tatimore, është për keqardhje që nuk kemi arritur të prezantojmë në mënyrë më të mirëfilltë, potencialet e vendit para investitorëve të huaj. Është po ashtu për keqardhje që privatizimi i aseteve shoqërore nuk ka ndikuar në rritje të investimeve të huaja”, tregoi Zeka.

Në vitin 2007, shuma e investimeve të huaja kishte arritur në 440 milionë euro, në vitin 2008, 355 milionë euro, vlerë kjo që asnjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka arritur në vend. Sipas të dhënave zyrtare, në nëntë muajt e vitit të kaluar, vlera e investimeve të huaja, ka arritur në 164 milionë euro.

Kryetari i Alencës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, tha për Telegrafin se ekonomia e vendit ende mbetet e varur nga importet, sipas tij, ka ende hapësirë për t’u bërë më shumë në zhvillimin ekonomik.

“Ekonomia e Kosovës 11 vjet pas mbetet e varur nga importet e dobësuar në prodhim, e dobësuar edhe në prioritetet ekonomike që qeveritë e Kosovës ia kanë obliguar vetës në programin strategjik e që nuk është realizuar asnjëherë. Prandaj, ka shumë hapësirë për t’u bërë, është momenti që Qeveria të tregohet e suksesshme nga të tjerat nëse këtë vit e festojmë me prioritetin e zhvillimit ekonomik të vendit. Pa ekonomi, pa prodhim dhe pa eksport nuk ka zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë”, tha Shahini.

Ai ka thënë se ka pasur mundësi të bëhet më shumë për ekonominë e vendit.

“Ka pasur mundësi që të bëhet më shumë, është bërë vetëm çereku i asaj që është premtuar vazhdimisht dhe nuk është bërë ajo që u është dashur qytetarit, biznesit dhe vendit që ta ketë prioritet prodhimtarinë vendore, zhvillimin ekonomik, punësimin dhe ta ndaloj trendin e dëshirave të të rinjve të ikin nga vendi”, tha për Telegrafin, Shahini.

Pronari i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi, e cila merret me prodhimin e lëngjeve dhe pijeve energjike, tha për Telegrafin se qeveritë nuk kanë bërë mjaftueshëm për zhvillimin ekonomik.

“Në përgjithësi mendoj se institucionet dhe qeveritë nuk kanë bërë mjaftueshëm për sa i përket zhvillimit ekonomik, sepse vazhdimisht me apo pa arsye kanë pasur agjendë thjeshtë politike dhe duket se fokusi dhe rëndësia më e madhe iu është dhënë çështjeve politike”, tha Palushi.

Lexo po ashtu Në vitin e ekonomisë, bizneset kërkojnë mbështetje të sektorit prodhues

Ai ka thënë se janë humbur shumë vite lidhur me aspektin ekonomik.

“Mund të them se viteve të fundit ka një ndryshim në qasje ndaj zhvillimit ekonomik. Mendoj se janë humbur shumë vite dhe do të duhetj që shumë më shpejtë të përshpejtohet që të mund të arrihet ajo që është e mundur”, tha ai.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2008 papunësia ishte mbi 43 për qind, ndërsa në vitin 2018, deri në tremujorin e tretë, shkalla e papunësisë ishte 30.7 për qind.

“Sipas rezultateve të AFP-së, në TM3 2018, shkalla e papunësisë është 30.7 për qind. Papunësia më e theksuar është te femrat me 34.8 për qind, krahasuar me meshkujt prej 29.5 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 55 për qind”, thuhet në raportin e ASK-së, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Rritet shkalla e papunësisë për 3% në Kosovë

Agjencia thotë se Produkti i Brendshëm Bruto për vitin 2017 ishte mbi 6.4 miliardë euro, kurse ky produkt për kokë banori ka qenë 3,566 euro, vlera këto më të ulëta, krahasuar më vendet e rajonit.

Gjatë periudhës së shtetësisë, Kosova është anëtarësuar në disa institucione ndërkombëtare financiare, si në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Ekonomike për Rindërtim dhe Zhvillim, kurse nga viti 2016 ka hyrë në fuqi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. /Telegrafi/

Exit mobile version