Site icon Telegrafi

“1 në 3 nga kandidatët fitues do të jetë grua”, OSBE për paktin PD-PS: Përparim i jashtëzakonshëm

Prezenca e OSBE-së ka vlerësuar paktin PD-PS për Kodin e Ri Zgjedhor.

Ato ndalen te një prej pikave për të cilën është rënë dakord, që ka të bëjë me respektimin e kuotës gjinore. Në reagimin e bërë për mediat, thuhet se ky është një përparim i jashtëzakonshëm në fushën e barazisë gjinore.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri çmon përparimin e jashtëzakonshëm në fushën e barazisë gjinore që ka bërë Shqipëria gjatë viteve të fundit, veçanërisht për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në jetën politike. Ne mirëpresim përpjekjet aktuale ndërpartiake, të drejtuara nga gratë deputete, dhe shpresojmë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të garantojnë pozitën udhëheqëse të Shqipërisë në rajon e më gjerë në lidhje me përfaqësimin gjinor në parlament”, njofton OSBE.

Në amendamentin e dorëzuar sot në Kuvend sqarohet se “1 në 3 nga kandidatët fitues nga lista e hapur duhet të jetë grua”. Një ditë më parë, i ftuar në emisionin “Debat nga Alba Alishani, Damian Gjiknuri sqaroi se lista e dytë e hapur do të përbëhet nga dy nënlista, një listë grash që garojnë mes tyre dhe një listë burrash që garojnë ndër vete. /Telegrafi/

Exit mobile version