Çështja e Demarkacionit me Kosovën është e përfunduar dhe nuk ka arsye që të kthehemi mbrapa, deklaroi për gazetën “Pobjeda”, funksionari i PDS-së, Nikollë Gegaj.
Gegaj vlerësoi se demarkacioni është çështje e brendshme politike e Kosovës e cila nuk do të ndikojë në përkeqësimin e marrëdhënieve të mira në mes dy vendeve.
“Ky nuk është problemi ynë, as nuk e shohim si një pengesë, sepse ne kemi përfunduar këtë proces”, tha ai duke shtuar se kufijtë e ish-Jugosllavisë janë gjerësisht të pranuar dhe të konfirmuar edhe nga faktori ndërkombëtar.
“Ne kemi nënshkruar marrëveshjen me Kosovën në Vjenë dhe Parlamenti ynë ratifikoi atë. SHBA-të dhe përfaqësuesit e BE-së çdo ditë u bëjnë thirrje partive politike të Kosovës që të ratifikojnë marrëveshjen, duke paralajmëruar se shtyrja e ratifikimit është e dëmshme për kredibilitetin e atij vendi në skenën ndërkombëtare”, tha ai. “Besoj se institucionet e Kosovës kanë kapacitet demokratik që të sjellin vendimet e duhura dhe Mali i Zi në këtë drejtim do të tregojë durimin e duhur” /malesia.me/