Telegrafi

Zyrtari rus në Ukrainë përpiqet të bindë inspektorët bërthamorë se një raketë u kthye 180 gradë – për “t’i bindur se nuk erdhi nga Rusia”

Një i dërguar rus u përpoq të bindte inspektorët bërthamorë të lidhur me OKB-në se një raketë që ra pranë termocentralit të madh të Ukrainës ishte rrotulluar 180 gradë përpara se të binte në tokë, dhe për këtë arsye nuk mund të kishte ardhur nga forcat ruse.

Sipas mediave të huaja, përfshirë Business Insider, përcjell Telegrafi, pamjet që tanimë janë bërë virale tregojnë një burrë duke folur me inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në uzinën Zaporizhzhia me mbetjet e një predhe para tyre.

Videoja tregon atë duke bërë gjeste ndaj raketës dhe duke i kthyer duart për të demonstruar një rrotullim 180 gradë të saj.

Gazetari i pavarur Mac William Bishop dhe The Telegraph e identifikuan njeriun që fliste në pamje si Renat Karchaa, një ekspert rus bërthamor.

Mediumi britanik raportoi se Karchaa këshillon Rosatom, një kompani shtetërore ruse bërthamore.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass raportoi gjithashtu se Karchaa kishte shoqëruar delegacionin e IAEA në vizitën e Zaporizhzhia.

Ministri ukrainas i Energjisë Herman Gluschenko tha në Facebook të premten se Karchaa po vepronte si udhërrëfyes turistik dhe po i jepte dezinformata IAEA, por nuk specifikoi se çfarë tha Karchaa.

Ndërkohë, The Telegraph e përshkroi shkëmbimin në lidhje me raketën e kapur në video si “një përpjekje për t’i bindur ata se nuk ishte hedhur nga territori i kontrolluar nga Rusia”.

IAEA nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment por shefi i IAEA, Rafael Mariano Grossi, tha se ai dhe kolegët e tij po vizitonin Zaporizhzhia për të “parandaluar një aksident bërthamor” pas granatimeve të përsëritura pranë uzinës.

Rusia ka “pushtuar” uzinën në mars dhe që atëherë e ka kontrolluar atë. /Telegrafi/