Telegrafi

Zyrtari i LDK-së kërkon largimin e Kurtit nga qeverisja: Nuk na duhen në krye të vendit ata që sfidojnë miqtë tanë

Zyrtari i LDK-së Visar Azemi ka shprehur shqetësimin e LDK-së për raportet mes SHBA-së dhe Kosovës.

“Sa herë që si opozitë kemi ngritur shqetësime për stërkeqjen e raporteve mes Kosovës dhe ShBA-së nga kjo qeveri, kreu i saj Albin Kurti herë është përgjigjur herë me ironi e herë me sulme dhe akuza të pabaza. Asnjëherë seriozisht”.

Lexo po ashtu Analizë e “Politico”, autori shkruan për 'marrëdhëniet e reja' ndërmjet Albin Kurtit dhe SHBA-së

Ai thotë se Kurti ka arritur t’i bëj bashkë demokratët e republikanët në SHBA në pozicionet e reja kundër Qeverisë së Kosovës.

“Sot, të njëjtat brenga tona i trajton një artikull që u publikua në gazetën amerikane me seli në Washington “Politico”. Aty ndër të tjera, thuhet se Kurti ka arritur që ta bëjë të pamundurën në politikën amerikane, pra që demokratët e republikanët të kenë konsensus mes vete për të. Konsensus se kryeministri i Kosovës Albin Kurti është një politikan kokëfortë dhe nganjëherë i pamatur që ka minuar përpjekjet e përbashkëta të ShBA-së dhe Evropës për të arritur një marrëveshje për paqe të qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Sipas Azemit Kurti nuk ka problemë me individë të caktuar siç është menduar deri më tani, por sipas tij ai e ka problemin me demokracinë amerikane.

“Pra, edhe ky artikull lë të kuptohet atë që e kemi përsëritur disa herë se nuk paska qenë problemi Trumpi e Grenelli për Kurtin. Atij s’po i bie tamam as Biden të cilin e mbështeti në zgjedhje përkundër Trumpit, e as Blinken dhe Escobar. Zaten ky njeri e ka problem politikën amerikane. Këtij zotëriu me gjasë i pengon demokracia më e madhe dhe më e konsoliduar në botë”.

Lexo po ashtu Lajçak: Refuzimi i takimit në Bruksel nga Kurti e Vuçiq, mund të ketë pasoja serioze

Azemi thotë se nuk është problem nëse qëndrimet e Kurtit kundër demokracisë amerikane do të mbeteshin vetëm në nivelin partiak.

“Kjo edhe s’do të ishte aq problem sikur Kurti këto bindje e këtë qasje t’i shpaloste vetëm në shkollat politike të Vetëvendosjes. Ama, ai sot është kryeministër dhe me veprimet e tij ai po rrezikon marrëdhëniet me të shëndosha të ndërtuara ndër dekada e plot mund me ShBA-në. Ai e ka sjellë vendin në pikën më të ulët dhe po errëson të ardhmen e shtetit. Kurti po krijon armiqësi me miqtë, që ishin përkrah nesh kur armiqtë po tentonin të na zhbënin”.

Në fund ai thotë se vetëm LDK mund të riktheje besimin e amerikanëve.

“Kosova duhet ta ndërpresë këtë fatkeqësi. Nuk na duhen në krye të vendit ata që sfidojnë miqtë tanë dhe eksperimentojnë me raportet me ta. Duhet ta rikthejmë besimin e tyre, me ata që e ndërtuan atë. Me LDK-në!”, ka deklaruar tutje Azemi./Telegrafi/