Ndihmëssekretari amerikan i Byrosë NdërkombëtareKundër Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson do të jetë për vizitë zyrtare në Prishtinë, ndërkaq gjatë vizitës këtu do të takohet vetëm me presidenten e shtetit, Vjosa Osmani.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se Todd Robinson do të jetë për vizitë edhe në Tiranë nga datat 18-20 mars dhe do të takohet me kryeministrin Edi Rama.
Ndërkaq, Robinson në Kosovë do të jetë nga 20 deri më 22 mars dhe do të takohet vetëm me presidenten Vjosa Osmani.
Ndryshe, Telegrafi mëson se një takim i zyrtarit amerikan me kryeministrin Albin Kurti nuk është planifikuar.
Kjo është hera e dytë brenda dy jave që zyrtarët amerikanë gjatë vizitës në Kosovë nuk takojnë kryeministrin Kurti.
Edhe ndihmësadministratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Erin E. McKee në fillim të marsit ishte për vizitë në Kosovë.
Gjatë vizitës zyrtare ajo takoi vetëm presidenten e shtetit.
Pas takimit që ka pasur me presidenten Osmani, McKee në një konferencë për media ka thënë se pavarësisht mosmarrëveshjeve me “qeveri të caktuara”, përkushtimi ndaj Kosovës mbetet i palëkundur.
“Edhe pse mund të përballemi me mosmarrëveshje apo sfida me qeveri të caktuara, përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur dhe i qëndrueshëm”, ka thënë McKee. /Telegrafi/