Telegrafi

Zyrtarët ukrainas raportojnë më shumë granatime dhe viktima civile në lindje

Zyrtarët ukrainas kanë raportuar bombardime të mëtejshme nga forcat ruse dhe viktima civile në pjesë të rajoneve Donetsk dhe Luhansk, të cilat janë bërë fokusi i sulmeve ruse.

Serhii Haidai, kreu i administratës ushtarake rajonale të Luhansk, tha se qytetet Severodonetsk, Lysychansk, Kreminna, Novodruzhesk dhe Rubizhne ishin shënjestruar sërish, me 12 ndërtesa banimi të goditura ditën e fundit.

“Fatkeqësisht, pati viktima në Lysychansk – një njeri vdiq, tre të tjerë u plagosën”, ka thënë Haida. “Numri i sulmeve raketore dhe ajrore në rajonin e Luhansk është rritur ndjeshëm”.

Sipas CNN, përcjell Telegrafi, të hënën Lysychansk u bombardua nga aeroplanët dhe pati një sulm me raketa”.

“Është më e vështirë të evakuohen njerëzit nga qytetet Popasna dhe Rubizhne”, tha ai, pasi ato ishin pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse. “Trupat tona zmbrapsin sulmet e vazhdueshme. Ne nuk mund të shkojmë në zona të caktuara të qyteteve dhe të marrim njerëz për shkak të granatimeve të vazhdueshme”.

“Në qytetet Kreminna, Severodonetsk dhe Lysychansk evakuimi bëhet çdo ditë”, bëri të ditur Haidai, duke shtuar se ndonjëherë mund të jenë deri në 2,000 njerëz të evakuuar.

Zyrtarët ukrainas thonë se sulmet ruse nga ajri po lëvizin më në perëndim deri në kufijtë e rajoneve Donetsk dhe Luhansk.

Mykola Lukashuk, kreu i Këshillit Rajonal të Dnipropetrovsk, tha se nata në rajonin e Dnipropetrovsk ishte “shqetësuese”.

E Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës theksoi të martën se forcat ruse vazhduan të rigrupohen përgjatë kufijve lindorë të Ukrainës dhe tha se priten sulme të mëtejshme tokësore drejt Popasna në rajonin Luhansk dhe Kurakhove në Donetsk, “me synimin për të arritur kufijtë administrativë të rajonit Donetsk”.

Forcat e Armatosura pretenduan se gjashtë sulme ruse në lindje ishin penguar të hënën dhe tanke, automjete të blinduara dhe sisteme artilerie ishin shkatërruar.

Ndërsa luftimet në lindje vazhdojnë, zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk njoftoi të martën për hapjen e nëntë korridoreve për evakuim, duke përfshirë nga Mariupol dhe Berdiansk në bregun juglindor, dhe Severodonetsk, Rubizhne dhe Lysychansk. /Telegrafi/