Vedat Muriqi është shumë afër transferimit te skuadra e madhe italiane Lazio.
Sulmuesi kosovar është bërë shumë i kërkuar nga skuadrat evropiane pas shkëlqimit në sezonin e tij të parë me Fenerbahcen.
West Bromwich Albion, Tottenham Hotspur, Leicester City, Roma, Napoli e Lazio janë skuadrat që e duan atë.
Por duket se më afër prizrenasit është skuadra e madhe italiane Lazio.
Zyrtarët e klubit kryeqytetas kanë mbërritur në Stamboll për ta përmbyllur marrëveshjen me Fenerbahcen.
Mediumi turk Fotomac ka raportuar se Lazio tanimë ka bërë edhe një ofertë zyrtare prej 18 milionë euro.
Nga ana tjetër Fenerbahce kërkon 20 milionë për yllin kosovar dhe tani klubet janë në fazën finale të negociatave.
Vlen të theksohet se nga shuma e transferimit të Muriqit, 15% e shumës do t’i takojë ish-klubit të prizrenasit Rizespor.
26-vjeçari ka shkëlqyer në vitin e tij të parë me gjigantin turk, pasi ka shënuar 17 gola e ka bërë shtatë asistime në 36 ndeshje zyrtare.
Gjatë kësaj jave sipas mediave në Turqi pritet të vendoset përfundimisht e ardhmja e reprezentuesit kosovar. /Telegrafi/