Site icon Telegrafi

Zyrtare: Shqipëria luan me Suedinë më 25 mars

Shqipëria do të luajë një ndeshje miqësore me Suedinë në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Evropian Euro 2024.

Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur akordin me Federatën Suedeze që ky takim të luhet më 25 mars 2024 në stadiumin “Friends Arena” në Stokholm të Suedisë, ndërsa orari mbetet për t’u përcaktuar.

Kjo ndeshje miqësore është në kuadër të përgatitjeve për Europianin “Gjermani 2024”, teksa Federata Shqiptare e Futbollit është duke punuar për të zyrtarizuar edhe një miqësore tjetër për muajin mars.

Sa i përket miqësores me Suedinë, kjo do të jetë hera e gjashtë që dy përfaqësueset do të përballen në një ndeshje futbolli.

Në të kaluarën Shqipëria dhe Suedia janë përballur vetëm një herë në një ndeshje miqësore që është fituar nga kuqezinjtë me rezultatin 2-1.

Ndërsa sfidat e tjera kanë qenë të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror, ku Suedia ka fituar tre takime dhe një ndeshje është ndarë në barazim pa gola 0-0.

Shqipëria zhvilloi një edicion shumë të mirë kualifikues dhe e mbylli në vendin e parë në Grupin E duke siguruar pjesëmarrjen në finalet e “Gjermani 2024”, teksa në Europian do të përballet me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën. /Telegrafi/

Exit mobile version