Ish-kapiteni i Anglisë, Wayne Rooney, ka përfunduar transferimin e tij fitimprurës në Uashington, apo më saktë tek skuadra nga Mayor League Soccer [MLS], DC United.
32-vjeçari përfundoi sezonin e kaluar si golashënuesi kryesor i Evertonit me 11 gola, por ka vendosur të shkojë në Uashington pavarësisht dëshirës së menaxherit të ri, Marco Silva për të mbajtur ish-sulmuesin anglez në Ligën Premier.
“Është fantastike të bashkohem me D.C. United në një kohë kaq emocionuese në historinë e klubit, me hapjen e stadiumit të ri pas vetëm disa javësh”, ka thënë fillimisht Rooney.
#NoWayneNoGain pic.twitter.com/HfbLmCsBOq
— D.C. United (@dcunited) June 28, 2018
“Kalimi në Amerikë dhe MLS përmbush një tjetër ambicie për mua në karrierë. Unë kam uri për të qenë i suksesshëm këtu dhe do t’i jap 100% te D.C. -siç e kam bërë gjithmonë për çdo ekip që kam luajtur ndonjëherë”.
“Kur kam vizituar më herët këtë verë klubin, unë u impresionova vërtet me të gjithë ata që kam takuar në lidhje me klubin dhe sigurisht në fushën e re Audi.
“Tani mezi pres që të futem në fushë në fanellën e Unitedit dhe të bashkohem me shokët e rinj të skuadrës për të sjellë sukses në këtë klub”, përfundoi anglezi.
Rooney tashmë ka marrë leje pune, vizë dhe është vendosur të bëjë debutimin e tij kundër Vancouver Whitecaps më 14 korrik, kur DC United hap stadiumin e ri Audi Field Stadium me 20 mijë vendesh.
Rooney do të nënshkruajë me skuadrën amerikane deri në fund të vitit 2021 në një marrëveshje me vlerë 12.5 milionë funtesh.
Ai është golashënuesi i Anglisë me 53 gola në 119 ndeshje dhe është golashënuesi më i mirë i Manchester Unitedit me 253 gola. /Telegrafi/