Telegrafi

Zyrtare: Pjaca huazohet nga Juventusi te Torino

(Foto: Twitter/Torino FC)

Marko Pjaca është larguar nga Juventusi për t’u bashkuar rivalit lokal, Torino, në formë huazimi me opsionin e blerjes.

Mesfushori kroat e ka kompletuar transferimin gjatë të mërkurës, ndërsa opsioni i sugjeruar mund të shndërrohet në obligim blerjeje në rast se ai regjistron një numër të caktuar paraqitjesh me klubin e ri.

Sipas njoftimeve në mediat italiane, çmimi eventual i transferimit të përhershëm besohet të jetë ndërmjet pesë dhe shtatë milionë euro.

“Marko Pjaca do të luajë te Torino në sezonin e radhës pas huazimit brenda qytetit që është bërë zyrtar. Marrëveshja e huazimit do të jetë valide deri më 30 qershor 2022, me të drejtën e blerjes”, thuhet në njoftimin e Juves.

Futbollisti nga Zagrebi iu bashkua Zonjës së Vjetër në vitin 2016, ndërsa ka qenë i huazuar te Schalke 04, Fiorentina, Anderlecht dhe Genoa. /Telegrafi/