Ish trajneri i Milanit, Filippo Inzaghi, është bërë zyrtarisht me skuadër të re, pas afërsisht një viti pauzë.
Ai është konfirmuar si trajner i ri i Venezias, skuadër kjo që bën pjesë në kategoritë e ulëta të futbollit italian, në Lega Pro.
Njoftimi për emërimin e ish-sulmuesit italian si trajner i Venezias është konfirmuar nga faqja zyrtare e klubit Lagurian.
“Venezia FC njofton se ka arritur marrëveshje me Filippo Inzaghi për drejtimin e ekipit të parë. Marrëveshja do të zyrtarizohet më 1 korrik me nënshkrimin e Inzaghit dhe stafit të tij”, thuhet në njoftimin e klubit.
Inzaghi do të prezantohet zyrtarisht si trajner i ri të mërkurën më 8 qershor, pasi ka marrë leje të veçantë nga Milano për të bërë këtë para se t’i skadojë kontrata me Rossonerët. /Telegrafi/