Qëndrim Dautaj është futbollisti më i ri i Gjilanit, ashtu siç kishte paralajmëruar ditë më parë Telegrafi.
Lojtari është pjesë e skuadrës së anamoravës duke braktisur radhët e ekipit që drejtohet nga trajneri, Bylbyl Sokoli, Ferizaj.
Në fakt, ky është një rikthim në skuadrën e Gjilanit pasi që më parë ishte pjesë e “Skifterave”, ku për një stinor kishte mbrojtur ngjyrat e ekipit kuqebardhë.
“Futbollisti i lindur në Deçan, karrierën e nisi në vendlindje me skuadrën e Deçanit, ku dhe u afirmua në futbollin e Kosovës”.
“Ai ka veshur fanellat edhe të disa skuadrave të tjera duke përfshirë të Besës së Pejës, Flamurtarit, Llapit e Ferizajit, skuadër nga e cila u transferua në ekipin e Gjilanit”, shkruan ndër të tjerash në njoftimin e klubit.
Ndryshe, në edicionin e fundit shënoi gjashtë gola dhe i ndihmoi shokët me katër asistime, me ç’rast ishte edhe ndër mesfushorët më produktiv në IPKO Superligën e Kosovës. /Telegrafi/