Telegrafi

Zyrtare: Divock Origit lojtar i ri i Milanit

Kontrata e Divock Origit me Milanin është deponuar zyrtarisht në Lega Calcio, ndërsa edhe kuqezinjtë e kanë të zyrtarizuar nënshkrimin e kontratës me lojtarin.

Faqja zyrtare e Lega Calcio konfirmoi gjatë ditës se kontrata e Origit është regjistruar nga Milani, ndërsa klubi pasdite njoftoi ardhjen e tij.

Belgu kishte kryer testet mjekësore dy javë më parë, por njoftimi u shty për shkak të çështjeve burokratike.

Ish-sulmuesi i Liverpoolit i është bashkuar kampionit të Serie A si lojtar i lirë pasi i skadoi kontrata me The Reds.

Ai tani është gati të nisë një kapitull të ri të karrierës së tij në “San Siro”.

Origi nuk u bashkua me shokët e tij të rinj në ditën e parë të stërvitjeve të hënën, por do të mbërrijë në Milanello për herë të parë sot (e martë).

Megjithatë, ai do të stërvitet veçmas nga pjesa tjetër e grupit për të paktën 10 ditë për t’u rikuperuar nga një dëmtim muskulor që pësoi në pjesën e dytë të sezonit të kaluar me Liverpoolin.

27-vjeçari kaloi shtatë vjet me Reds dhe shënoi 47 gola në 171 paraqitje në Anfield. /Telegrafi/