Site icon Telegrafi

Zyrtare: Dani Olmo, lojtar i ri i Barcelonës

Klubi katalunas, Barcelona ka njoftuar zyrtarisht transferimin e yllit spanjoll, Dani Olmo, nga RB Leipzig.

Dani Omo rikthehet te Barcelona pas një dekade mungese. Sulmuesi mbërriti në La Masia në vitin 2007 nga fqinjët Espanyol dhe pas shtatë vitesh në sistemin e të rinjve, vendosi të vazhdojë karrierën e tij në Kroaci, duke nënshkruar për Dinamo Zagreb.

Në Kroaci, Olmo vazhdoi të zhvillohej si lojtar dhe fitoi një numër mbresëlënës trofesh; pesë tituj të ligës, tre Kupa të Kroacisë dhe një Superkupë të Kroacisë, si dhe duke u shpallur lojtari i vitit në vend në dy raste të veçanta. Teksa luante për Dinamon, Olmo debutoi edhe në Ligën e Kampionëve.

 

Në vitin 2020, talenti i tij ngjalli interes nga klubet në të gjithë Evropën dhe ai përfundimisht u transferua në klubin gjerman RB Leipzig.

Katër sezonet e tij në Bundesligë e panë atë të fitojë Kupën e Gjermanisë dy herë dhe një Superkupë të Gjermanisë në të cilën ai shënoi het-trik në një fitore 3-0 ndaj Bayern Munich.

Pas shkëlqimit te klubi gjerman dhe me Spanjën në Euro 2024, Barcelona vendosi ta transferojë lojtarin në Camp Nou, duke nënshkruar kontratë gjashtë vjeçare me lojtarin.

 

“FC Barcelona dhe RB Leipzig kanë arritur marrëveshje për transferimin e Dani Olmos. Lojtari do të nënshkruajë një kontratë me klubin për gjashtë sezonet e ardhshme, deri më 30 qershor 2030”.

“Klauzola e tij e blerjes është vendosur në 500 milionë euro”, thuhet në njoftimin e katalunasve, të cilëve transferimi i lojtarit thuhet se ka kushtuar rreth 62 milionë euro përfshirë bonuset. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version