Telegrafi

Zyrtare: Capello nënshkruan me Jiangsu Suning

Siç pritej, Fabio Capello është bërë trajneri zyrtar i Jiangsu Suning, duke nënshkruar një kontratë 18-mujore që raportohet të jetë me vlerë 10 milionë euro.

Trajneri italian tashmë kishte fluturuar në Kinë këtë mëngjes për të takuar shefat e Suning dhe për të inspektuar terrenin e trajnimit.

Këtë pasdite, klubi nga Superliga Kineze njoftoi se Capello sot është emëruar si kryetrajner i skuadrës.

Lexo po ashtu Drejtuesit e Interit e duan Capellon në Kinë te Jiangsu?

“Sot kemi nënshkruar kontratë pune me zotëri Fabio Capello. Ai do të jetë trajneri kryesor i ekipit tonë që nga sot. Mirë se vini Fabio!”, thuhet në njoftimin e klubit kinez.

Ndonëse nuk përmendet në mënyrë specifike nga klubi, besohet se Capello po sjell italianët Gianluca Zambrotta dhe Cristian Brocchi për t’u bashkuar me stafin e tij.

Ish-menaxheri i Anglisë dhe Rusisë Capello gjithashtu do të mbikëqyrë akademinë e të rinjve dhe do të ndihmojë në ndërtimin e infrastrukturës që Suningit i ka munguar deri tani.

Ky klub është në pronësi të Suning Group, i cili gjithashtu drejton gjigantin italian, Interin. /Telegrafi/