Siç pritej, Fabio Capello është bërë trajneri zyrtar i Jiangsu Suning, duke nënshkruar një kontratë 18-mujore që raportohet të jetë me vlerë 10 milionë euro.
Trajneri italian tashmë kishte fluturuar në Kinë këtë mëngjes për të takuar shefat e Suning dhe për të inspektuar terrenin e trajnimit.
Këtë pasdite, klubi nga Superliga Kineze njoftoi se Capello sot është emëruar si kryetrajner i skuadrës.
“Sot kemi nënshkruar kontratë pune me zotëri Fabio Capello. Ai do të jetë trajneri kryesor i ekipit tonë që nga sot. Mirë se vini Fabio!”, thuhet në njoftimin e klubit kinez.
Ndonëse nuk përmendet në mënyrë specifike nga klubi, besohet se Capello po sjell italianët Gianluca Zambrotta dhe Cristian Brocchi për t’u bashkuar me stafin e tij.
Ish-menaxheri i Anglisë dhe Rusisë Capello gjithashtu do të mbikëqyrë akademinë e të rinjve dhe do të ndihmojë në ndërtimin e infrastrukturës që Suningit i ka munguar deri tani.
Ky klub është në pronësi të Suning Group, i cili gjithashtu drejton gjigantin italian, Interin. /Telegrafi/